Homazhe për Navalnyn dhe solidaritet për Ukrainën, dhjetëra të arrestuar në Rusi!

vovalbania February 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Homazhe për Navalnyn dhe solidaritet për Ukrainën, dhjetëra të arrestuar në Rusi!

Dhjetëra të arrestuar dje në Rusi, për shkakun e vetëm se po bënin homazhe për liderin e ndjerë opozitar rus, Alexei Navalny e po shënonin dy-vjetorin e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Moska. Sipas raportimeve të grupit për të drejtat e njeriut, OVD-Info, ata u arrestuan gjatë ceremonive përkujtimore në nëntë qytete ruse.

Njëzet e shtatë nga të arrestuarit kishin vendosur kurora me lule për nder të Navalnyt, i cili vdiq në rrethana ende të paqarta më 16 shkurt, në një burg të largët rus në Arktik. Po ashtu, njëzet gra të ushtarëve rusë, të cilat po merrnin pjesë në një tubim të thirrur nga një grup për trajtim më të mirë të rekrutëve, u arrestuan së bashku me tre vetë që po protestonin kundër luftës.

Dje u mbushën plot dy vjet që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar e të paligjshëm të Ukrainës.

Lufta ka sjellë pasoja shkatërruese për njerëzit në Ukrainë. Sipas të dhënave që publikoi Organizata e Kombeve të Bashkuara në nëntor të vitit të kaluar. Mbi 10 mijë civilë u vranë e në mesin e tyre janë më shumë se 560 fëmijë. Por, besohet se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta.

Siç dihet, vazhdimisht autoritetet ruse i kanë shtypur protestat kundër atij që Moska zyrtare e quan “operacion special ushtarak për çmilitarizimin dhe denazistifikimin e Ukrainës”, duke arrestuar qytetarët që e kanë kundërshtuar luftën e rusëve në vendin fqinj.

Ndërkohë, në ditët pas njoftimit për vdekjen e Alexei Navalnyt, policia ruse i ka shtypur të gjitha përpjekjet për ta përkujtuar vdekjen e tij, duke larguar memorialet e improvizuara në nder të kritikut të Kremlinit në disa qytete ruse, si dhe duke arrestuar qindra njerëz.

Alexei Navalny ka qenë kritiku më i madh i liderit rus, Vladimir Putin për vite të tëra. Në gusht të 2020-ës, Navalny u helmua me agjent nervor Noviçok dhe në atë kohë akuzoi aparatin shtetëror rus, me në krye Putinin se u përpoq ta eliminonte fizikisht. Pasi u mjekua në Gjermani, ai vendosi të kthehej në Rusi ku menjëherë e dërguan në burg për të vuajtur një dënim me 19 vite heqje lirie. Nga ai burg, nuk arriti të dilte i gjallë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49655 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE