Vijon protesta e fermerëve, bujqit polakë bllokojnë autostradën kyçe me Gjermaninë!

vovalbania February 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vijon protesta e fermerëve, bujqit polakë bllokojnë autostradën kyçe me Gjermaninë!

Bujqit polakë e bllokuan të dielën një autostradë të madhe me Gjermaninë, gjatë protestës së tyre më të fundit kundër rregulloreve dhe tatimeve të Bashkimit Evropian.

Bujqit nëpër Evropë janë duke protestuar tash e disa javë kundër, siç thonë ata, rregulloreve mjedisore tejet kufizuese, konkurrencës nga importet e lira prej vendeve që nuk janë pjesë e BE-së, si dhe kundër të hyrat të vogla.

Të dielën, bujqit nga Polonia e bllokuan autostradën A2 në lindje të kufirit me Gjermaninë.

“Bllokada nisi në orën 13:00. Të dyja anët e autostradës A2 janë bllokuar”, tha Ewa Murmylo, zëdhënëse e policisë lokale.

Bujqit kishin planifikuar fillimisht një bllokadë 25-ditore, por pas bisedimeve me përfaqësuesit lokalë, bizneset dhe transportuesit, vendosën për bllokadë më të shkurtër.

Ata kanë vendosur “ta zhbllokojnë rrugën mbase nesër” e hënë, tha Dariusz Wrobel, njëri nga bujqit dhe organizatorët e protestës.

“Kjo do të varet nga gjëra të cilat ne nuk mund t’i parashikojmë. Ne duhet të fillojmë të marrim veten seriozisht”, tha ai për AFP.

Të hënën, ministrat e Bujqësisë të BE-së pritet të takohen në Bruksel.

Ata pritet të bisedojnë për propozimet e reja të Komisionit Evropian për ndryshimin e rregulloreve që kanë nxitur pakënaqësi të mëdha në mesin e bujqve.

Bujqit në Poloni thonë se po e shënjestrojnë të ashtuquajturën Marrëveshje të Gjelbër të Bashkimit Evropian për energjinë, transportin dhe taksat. Kjo marrëveshje, sipas bllokut, synon të ulë emetimet e gazrave serrë. Bujqit veçmas janë goditur nga rritja e taksave dhe rregullave të tjera.

Bujqit polakë kishin protestuar edhe në kufi me Ukrainën, duke përkeqësuar raportet mes këtyre dy shteteve, pavarësisht se Varshava është një mbështetëse e madhe e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49292 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE