Borrell i quan jo të suksesshme takimet me Kurtin dhe Vuçiçin në Mynih!

vovalbania February 26, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Borrell i quan jo të suksesshme takimet me Kurtin dhe Vuçiçin në Mynih!

Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell deklaroi se nuk pati takime “të suksesshme” me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, sa i përket shtensionimit të gjendjes mes dy shteteve. Në një artikull të publikuar pas zhvillimit së Konferencës së Sigurisë në Mynih, Borrell përmendi takimet e ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Me presidentin e Serbisë, Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti, diskutova si të shtensionohet situata mes dy shteteve, por fatkeqësisht pa sukses.

Tensionet janë rritur pasi nga 1 shkurti po zbatohet një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që njeh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave, duke ndaluar dinarin serb. Bashkimi Europian po kërkon që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut, por Kosova tha se rregullorja e BQK-së nuk është temë e dialogut.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, pasi argumentoi se është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë duke iu bërë pagesa në dinarë. Kjo përmes një sistemi paralel për rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Pas takimit në Mynih, zyra e Kurtit tha se me Borrellin dhe me të dërguarin e BE-së, Mirosllav Lajçak u bisedua për deklaratat e zyrtarëve serbë sa i përket marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paraushtarak në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garanci e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Bashkimi Europian ka thënë se Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve, e arritur vitin e kaluar, nuk po zbatohet. Akordi me 11 nene, ndër tjerash përfshin një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore. Nga Prishtina dhe Beogradi kërkon t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme, të arritura gjatë dialogut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48802 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE