“Plan për evakuimin” e civilëve në Gaza, propozimi nga ushtria izraelite!

vovalbania February 26, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Plan për evakuimin” e civilëve në Gaza, propozimi nga ushtria izraelite!

Ushtria izraelite propozoi një plan për evakuimin e civilëve “nga zonat e luftimeve” në Gaza. Njoftimi vjen nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, pasi udhëheqësi izraelit tha se “nevojitet” një ofensivë në qytezën Rafah, në jug të enklavës. Qeveritë e huaja dhe organizatat e ndihmës, vazhdimisht shprehin frikën se një ofensivë ushtarake në Rafah do të rezultojë në numër të madh të viktimave në mesin e civilëve.

Mbi 1.4 milion palestinezë, shumica të zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës janë strehuar në Rafah. Kjo qytezë është pika e parë e hyrjes së ndihmës humanitare në territor, përmes Egjiptit.

Kabinetit të Luftës, ushtria izraelite i prezantoi planin për evakuimin e popullatës nga zonat e luftimeve në Rripin e Gazës dhe planin e ardhshëm operacional.

Nuk ka detaje, si dhe ku do të vendosen civilët. Njoftimi vjen teksa ndërmjetësit nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara u takuan në Doha për bisedime. Aty morën pjesë edhe përfaqësuesit e Izraelit e të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e Bashkimi Europian, siç raportuan media të lidhura me shtetin egjiptian. Kjo është përpjekja e re për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi para nisjes së Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Netanyahu, i cili kërkesat e Hamasit për tërheqje nga Gaza i quan “absurde”, deklaroi se një pushtim tokësor në Rafah, brenda javësh do t’i jepte Izraelit një “fitore të plotë” ndaj Hamasit, grupit radikal që kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor, duke nxitur luftën.

Nëse kemi një marrëveshje armëpushimi, kjo do të vonohej paksa, por do të ndodhte. Duhet të bëhet sepse fitorja e plotë është qëllimi ynë dhe kjo fitore mund të arrihet dhe kur të nisim operacionin tonë ky nuk do të jetë objektiv që do të arrihet për muaj të tërë, por brenda javësh.

Mes një krize humanitare në rritje, agjencia kryesore për palestinezët e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për veprime politike, që të shmanget uria në Gaza. Mungesa e furnizimeve ushqimore në veri të Gazës “është një fatkeqësi e shkaktuar nga njeriu”, që mund të zbutet tha Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për palestinezët, e njohur si UNRWA.

Uria mund të shmanget përmes një vullneti politik që të lejohet qasja dhe mbrojtja e ndihmës së rëndësishme.

OKB-ja tha se përballet me kufizime sidomos në dërgimin e ndihmës humanitare në veri të Gazës. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez vrau 1.200 persona dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë gjatë sulmeve në jug të Gazës. Si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit, në Gaza janë vrarë mbi 29.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49586 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE