Koreja e Jugut me ultimatum ndaj mjekëve protestues: Kthehuni në spitale ose masa ndëshkimore!

vovalbania February 26, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Koreja e Jugut me ultimatum ndaj mjekëve protestues: Kthehuni në spitale ose masa ndëshkimore!

Koreja e Jugut u bëri thirrje mjekëve praktikantë të kthehen në punë, që të kursehen nga veprimet ndëshkuese. Ndërkaq, protesta lidhur me reformat shëndetësore ka hyrë në javën e dytë. Mijëra mjekë të rinj dhanë dorëheqje pasi janë kundër që qeveria të rrisë në mënyrë të ndjeshme numrin e personave që do të pranohen në shkollat e Mjekësisë teksa vendi aziatik po përballet me mungesa të personelit shëndetësor.

Mjekët konsiderohen punonjës thelbësorë në Korenë e Jugut dhe me ligj janë të kufizuar të hyjnë në grevë. Vazhdimisht, qeveria ka përsëritur pretendimet se dorëheqjet masive janë të paligjshme dhe ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj atyre që japin dorëheqje ose do t’iu pezullojë licencat.

Qeveria bëri “një apel final” për mjekët që të kthehen në punë gjatë kësaj jave, tha ministri i Brendshëm, Lee Sang-min, gjatë një mbledhjeje për menaxhimin e krizës.

Nëse ju ktheheni në spitale deri më 29 shkurt, nuk do të mbaheni përgjegjës për atë që ka ndodhur në të kaluarën.

Lee theksoi se veprimi i zgjatur kolektiv paraqet “kërcënim për jetën dhe shëndetin e pacientëve”.

Spitali ishte vendi ku ëndrra juaj për të trajtuar pacientët e sëmurë realizohej çdo ditë. Unë shpresoj që do të ktheheni në vendet tuaja të punës dhe të përfshiheni në dialogun për një mjedis më të mirë shëndetësor.

Në të gjithë shtetin, spitalet janë përballur me mungesë të mjekëve javën e kaluar dhe mediat koreano-jugore raportojnë se edhe më shumë mjekë i janë bashkëngjitur protestës.

Seuli zyrtar u shpreh se ka një prej raporteve më të ulëta mjek-popullatë në mesin e shteteve të zhvilluara dhe qeveria po synon të pranojë 2 mijë studentë të rinj në fushën e shëndetësisë në vit, duke nisur nga 2023-shi.

Mjekët e kanë kundërshtuar planin e qeverisë, duke pretenduar se një gjë e tillë do të dëmtojë cilësinë e shërbimit. Përkrahësit e reformës kanë thënë se shqetësimet kryesore të mjekëve janë se kjo reformë do t’iu prekë pagat dhe statusin shoqëror.

Sipas sondazheve, 75% e publikut në Korenë e Jugut mbështet rritjen e numrit të studentëve të Mjekësisë, teksa ata që jetojnë në zona të largëta përballen me mungesë të aksesit në kujdes cilësor shëndetësor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE