Zyrtarizohen çmimet e rritura të biletave të autobusit për linjat ndërqytetëse!

vovalbania February 26, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zyrtarizohen çmimet e rritura të biletave të autobusit për linjat ndërqytetëse!

Ndonëse çmimet e biletave të autobusit për linjat interurbane përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kishin mbetur të pandryshuara që nga 2007-ta, vitet e fundit, operatorët kanë zbatuar çmime më të shtrenjta se tarifat zyrtare. Tashmë, qeveria ka ndryshuar çmimet zyrtare të biletave të autobusit për linjat ndërqytetëse, duke i rritur deri 40% më shumë, krahasuar me tarifat e përcaktuara në vendimin e vitit 2007.

Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare, çmimet e reja për biletat e autobusit në linjat ndërqytetëse nisin nga 50 lekë për distancën 10 km e deri në 1,450 lekë për distancën 330 km. Krahasuar me tarifat e përcaktuara në bazë të vendimit të 2007-ës, çmimet e biletave të autobusit nga distanca prej 10 km deri në 300 km, u rritën nga 43 deri 50%.

Por, Shoqata e Transportit Ndërqytetës sqaron se udhëtarët e linjave me autobus nuk preken nga ndryshimet e çmimeve. Kryetari Dashnor Memaj pohoi se nuk kemi të bëjmë me rritje çmimesh, por formalizim të tregut, pasi prej kohësh, operatorët operojnë me çmimet e përcaktuara në vendimin e ri.

Nuk kemi të bëjmë me rritje të tarifave, madje për disa itenerare çmimet e biletave janë më të ulëta. Çmimet në VKM-në e re janë zyrtarizmin i tarifave aktuale që aplikojnë operatorët e linjave ndërqytetëse. Pra, kemi të bëjmë me formalizim të tregut dhe vënie në zbatim të pajisjeve të fiskalizimit që do të sistemojë tregun.

Tarifat e mëparshme të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus ishin të përcaktuara në bazë të VKM nr.66 datë 7.2.2007, për disa ndryshime në tarifat e transportit të udhëtarëve. Tashmë, tarifat e transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus janë sipas përcaktimeve të vendimit të ri.

Për zbatimin e tij ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe subjektet e licencuara për operim në linjat e rregullta të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus për zbatimin e këtij vendimi./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49440 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE