Konferenca Rama-Zelenskyy/Kryeministri: Ukraina të mbështetet ushtarakisht/Presidenti ukrainas: Rusia, gjithçka për të destabilizuar Ballkanin!

vovalbania February 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Konferenca Rama-Zelenskyy/Kryeministri: Ukraina të mbështetet ushtarakisht/Presidenti ukrainas: Rusia, gjithçka për të destabilizuar Ballkanin!

Në përfundim të Samitit “Ukraina-Europa Juglindore” në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, kryeministri Rama tha se “Shqipëria do ta mbështesë Ukrainën për aq sa të ketë nevojë”. Këto deklarata i bëri në një konferencë të përbashkët me presidentin Volodymyr Zelenskyy.

Rama apeloi që Perëndimi të dërgojë armë në Ukrainë, se siç nënvizoi “vetëm kështu mposhtet pala tjetër”, referuar Rusisë.

Nuk e ndalim luftën duke e çarmatosur viktimën. Prandaj duhet t’ju them të gjithëve që Ukraina e meriton të mbështetet dhe të ndihmohet në çdo mënyrë, për të rezistuar e për t’u garantuar se çdo paqe që rezulton prej kësaj lufte është paqe e drejtë.

Pas samitit ku u diskutua për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër rusëve që vijon prej dy vitesh, kryeministri Rama u shpreh:

E kemi bërë shumë të qartë, jam shumë krenar të them se nuk është vetëm Qeveria, Parlamenti dhe institucionet, por i gjithë kombi, gjithë popullata e vendit tonë që është me Ukrainën dhe e mbështet Ukrainën, pa asnjë lëkundje.

Nga konferenca për shtyp, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën.

Samiti i sotëm është bashkim dhe mendoj se shtetet e Ballkanit sot duhet të bëhen bashkë. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën. Rusia nuk do të ndalet. Rusia nxjerr përfundime nga gabimet që ka bërë në territorin e Ukrainës e do të destabilizojë edhe më tej, do të përdorë taktika të tjera.

Edhe kryeministri Rama pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus.

Ajo çfarë po ndodh atje (Ukrainë) mund të përsëritet në mënyra të ndryshme. Lufta mund të ndodhë, pavarësisht sa e pamundur mund të duket dhe “nuk duhet luajtur me zjarrin”. Nëse e humbasim këtë qartësi, rrezikojmë të hyjmë në fazë të errët.

Rama shtoi se çështja e ndihmës për Ukrainën, nuk duhet të përdoret për çështje të brendshme politike në shtete të ndryshme.

Shtetet si Shqipëria nuk mund të plotësojnë nevojat e mbrojtjes që ka Ukraina, ndaj iu bëj thirrje shteteve të mëdha e të pasura, ta ndihmojnë Kievin. Pretendimet se ndalimi i dhënies së armëve për Ukrainën do të sjellë paqen nuk janë vetëm cinike, por edhe absurde sepse nuk ndalni luftën duke çarmatosur viktimën. E ndalni luftën duke ndalur keqbërësin.

Ukraina meriton të mbështetet dhe ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme për të rezistuar e të sigurohet që çdo paqe që do të dalë nga kjo luftë do të jetë paqe e drejtë, e mbështetur para së gjithash në planin 10 pikësh të Zelenskyy-t, të cilin e mbështesim dhe duam të diskutohet nga të gjitha shtetet.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51011 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE