Samiti për Ukrainën në Tiranë/ Presidenti Zelensky kërkon bashkëprodhim municionesh me Shqipërinë!

vovalbania February 28, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Samiti për Ukrainën në Tiranë/ Presidenti Zelensky kërkon bashkëprodhim municionesh me Shqipërinë!

Avioni që solli në Tiranë presidentin Volodymyr Zelensky, solli edhe një kërkesë specifike për Shqipërinë, bashkëprodhimin e municioneve ushtarake kryefjalë e kërkesës të Ukrainës, adresuar të gjithë atyre që kundërshtojnë agresionin rus dhe përkrahin Kievin.

Gjatë 34 viteve demokraci, Shqipërinë e kanë vizituar shumë presidentë. Por kjo e presidentit Volodymyr Zelensky është më e veçanta. Ai është një president, i cili prej dy vitesh udhëheq Ukrainën, vend në Europë, në luftën më të tmerrshme pas asaj të dytë botërore në kontinentin tonë.

Me veshjen e një presidenti lufte, i shoqëruar nga disa prej ministrave të qeverisë, edhe disa prej tyre me veshje ushtarake, presidenti Zelensky dhe Edi Rama shtrënguan duart, kësaj here në Tiranë, pas vizitës së Ramës në Ukrainë, në qershor 2022 dhe takimit të shtatorit 2023 në Këshillin e Sigurimit të OKB-s.

Si të gjithë vizitorët e mëparshëm, edhe presidenti Zelensky pa zyrën e Edi Ramës, nga ku gjatë këtyre dy viteve janë shkruar shumë qëndrime në mbështetje të Ukrainës. Pas një takimi kokë më kokë, Presidenti Zelensky, në shenjë mirënjohje i akordoi kryeministrit Rama për kontributin e tij, Urdhrin e Princit Jaroslav i Urti.

Kryeministri Rama dhe presidenti Zelensky nënshkruan traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit Shqipëri- Ukrainë.

Presidentit Zelensky bëri këtë koment pas nënshkrimit të traktatit me një kërkesë specifike, në kushtet kur Ukraina e ka theksuar nevojën për më shumë armatime, duke hedhur sytë nga ish-kombinatet e armë-prodhimit në Shqipëri jashtë funksionit prej tre dekadash.

“Që prej ditës së parë të pushtimit, Shqipëria  ka ndihmuar Ukrainën në përpjekjet për liri dhe integritet territorial. Ky traktat do të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës  në Ballkan. Po ashtu sot folëm për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe potencialin e bashkë prodhimit të armëve”.

Ne, thotë presidenti Zelensky, i jemi mirënjohës qeverisë dhe popullit shqiptar. “Ne nuk do ta harrojmë kurrë ngrohtësinë tuaj kundrejt Ukrainës”.

Kjo vizitë u shoqërua me masa të shumëfishuara sigurie, pjesë e të cilave ishin edhe vendosja e snajperëve të RENEA-s, në pikat më të larta rrethuese me Pallatin e Kongreseve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50747 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE