Zelenskyy në takim me Ramën/Presidenti ukrainas: Sot punoj në Tiranë!

vovalbania February 28, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Zelenskyy në takim me Ramën/Presidenti ukrainas: Sot punoj në Tiranë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ndodhet në mjediset e Kryeministrisë për takimin me kryeministrin Edi Rama, ndërsa në të parën vizitë në Tiranë, sot do t’i bashkohet samitit të rëndësishëm, “Ukrainë-Europa Juglindore”. Para takimit me Ramën, në një postim në X theksoi se palët do të diskutojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë politik, mbështetjen për Formulën e Paqes e marrëveshjet e sigurisë.

Sot punoj në Tiranë. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Europa Juglindore.

Në bisedimet tona dypalëshe me Kryeministrin dhe ekipin e tij do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7-ës, të cilën ne e vlerësojmë shumë.

Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në samitin “Ukrainë-Europë Juglindore” që tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë e të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër. Do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit.

Para takimit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, edhe Rama reagoi përmes një postimi në Facebook, ku thekson se ky samit është një takim solidariteti dhe angazhimi të mëtejshëm kundër agresionit rus në Ukrainë.

Mirëmëngjes dhe me krenarinë për Shqipërinë, që sot mikpret në Samitin e Europës-Juglindore, liderin e rezistencës heroike ukrainase, Presidentin Volodymyr Zelenskyy, në një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive tona kundër agresionit rus, ju uroj një ditë të mbarë!

Më herët gjatë ditës ishte kryediplomati Igli Hasani, i cili priti në takim homologun ukrainas, Dmytro Kuleba. Në Tiranë, ai ndodhet si pjesë e delegacionit që shoqëron presidentin Zelenskyy në samitin “Ukrainë-Europa Juglindore” që mbahet sot në Pallatin e Kongreseve. Në një deklaratë për shtyp pas takimit, Hasani shprehu mbështjen e Shqipërisë për sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës.

Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës. Vijojmë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë.

Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, plani me 10 pika i presidentit Zelenskyy është mundësia më realiste për arritjen e paqes në konfliktin me Rusinë.

Plani me 10 pika i presidentit Zelenskyy, mundësia më realiste për arritjen e paqes. Bashkë me aleatët, të angazhuar për realizimin e Pikës 5 për “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”. Ukraina, përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare. Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti.

Ministri zbuloi se në fokus të takimit ishte ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën e rrënuar nga lufta.

Diskutuam për përparimin e marrëdhënieve të mira Shqipëri-Ukrainë. Në fokus të bisedës, ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën. Dakordësi për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Mbështesim përparimin e Ukrainës në rrugën pro-europiane. Të gatshëm që të ofrojmë përvojën tonë të deritanishme në këtë proces. Uroj që samiti i sotëm të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës.

Nga ana tjetër, Kuleba falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës, duke theksuar se dy vendet europiane do të bashkërendojnë ngushtë sa i takon rrugëtimit në Bashkimin Europian. Sipas ministrit ukrainas, Rusia duhet të dënohet si përgjegjëse për krimet e luftës në Ukrainë.

Më kujtohet me mirënjohje të posaçme, mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në këto dy vite dhe mënyra si keni marrë pjesë në diskutimet për Ukrainën. Po ashtu takimi në Këshillin e Sigurimit ku Rama kryesoi mbledhjen në mënyrë elokuente dhe efikase në vitin 2023. Sot informova ministrin për situatën në front dhe sulmet me dronë e raketa të Rusisë. Çdo ditë, Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës. Do të donim të intensifikonim përpjekjet tona në këtë drejtim.

Vlerësojmë që Shqipëria është bashkuar në regjistrin kombëtar të dëmeve të shkaktuara nga Rusia në Ukrainë. Ukraina dhe Shqipëria janë dy vende europiane të bashkuara në vlerat europiane. Ramë dakord që të bashkërendojmë ngushtë sa i takon rrugëtimit tonë europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49313 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE