Freedom House: Shqipëria dhe Kosova “pjesërisht të lira” pavarësisht përparimeve!

vovalbania February 29, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Freedom House: Shqipëria dhe Kosova “pjesërisht të lira” pavarësisht përparimeve!

Në raportin vjetor mbi “Lirinë në Botë”, “Freedom House” vlerëson se Shqipëria dhe Kosova mbeten “pjesërisht të lira”, pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve. Ndërkaq, në Indeksin e Lirisë Globale, vendi ynë vlerësohet me 68 pikë, duke shënuar përparim me një pikë në krahasim me vlerësimin e vitit të kaluar. Po ashtu, konsiderohemi vend në tranzicion, me sistem hibrid të qeverisjes.

Këtë vit, Kosova vlerësohet me 60 nga 100 pikë maksimale, pa ndryshime nga viti i kaluar. Më parë, organizata me seli në Uashington e cilësonte Kosovën “vend në tranzicion, me një sistem hibrid qeverisjeje”. Ekspertja e “Freedom House”-it për Ballkanin, Alexandra Karppi i tha Zërit të Amerikës se situata në Kosovë nuk mund të shkëputet nga dinamika e zhvillimeve në raport me Serbinë.

Vitet e fundit, Kosova ka shënuar përparim, çka pasqyrohet tek rezultatet sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, proceseve më të dobishme politike, që u kanë mundësuar qytetarëve pjesëmarrje më të lirë dhe shoqërisë civile, veprimtari më aktive. Gjithsesi, këto gjëra kanë shënuar përparim vitet e fundit. Viti 2023 ishte i vështirë për Kosovën.

Kemi parë rritje të dhunës në komunat veriore, çka mund të vërë në dyshim shumë procese dhe mund shkaktojë trysni ndaj qeverisë që të sigurohet se po ofron mbrojtje për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këto janë procese afatgjata. Kjo është një situatë e stërzgjatur sigurie.

Megjithëse ekzistojnë shqetësime për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, janë bërë përparime të mëdha në respektimin e të drejtave të minoriteteve e të drejtave fetare. Kosova mbetet një nga vendet udhëheqëse në Ballkanin Perëndimor në disa nga shtyllat e rëndësishme dhe thelbësore të demokracisë.

Lidhur me Shqipërinë, si përmirësim, Karppi theksoi procesin e vetting-ut që sipas saj “ka filluar të shënojë përparim, duke e detyruar Shqipërinë të mënjanojë korrupsionin në fushën e drejtësisë”.

Kjo do të thotë se tani, gjykatat janë në pozitë më të mirë që t’u shërbejnë qytetarëve dhe janë më efikase. Kjo do të thotë se në Shqipëri po përmirësohet dukshëm qasja e qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe ky përparim duhet të vlerësohet.

Ekspertja Karppi shprehet se mungesa e transparencës dhe qeverisja jofunksionale vazhdojnë të përbëjnë shqetësim në Shqipëri. Për këtë përmendi zgjedhjet lokale, gjatë të cilave, sipas saj, “nuk u krijua një mjedis për zgjedhje më të lira dhe më të drejta”.

Përgjithësisht, Shqipëria ka përparuar këtë vit duke u dhënë mundësi qytetarëve që sërish të marrin pjesë në proceset demokratike duke iu përmbajtur angazhimeve për reforma të marra para Bashkimit Europian.

Raporti që vlerëson përparimin e 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë 2023-shit, bazuar te vlerësimet në fushat e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si “situatë të përshkallëzuar gjerësisht”.

Sipas organizatës “Freedom House”, të drejtat politike kanë shënuar rënie për të 18 vitin me radhë. Rënie pati në 52 shtete, ndërsa vetëm 21 vende kanë shënuar përmirësim gjatë 2023-shit.

Nga 195 vendet dhe territoret e vlerësuara, shumica e popullsisë së botës, rreth 80%, jeton në vende që klasifikohen si pjesërisht të lira apo jo të lira.

Në veçanti, organizata nënvizoi se zgjedhjet e manipuluara, si ato në Ekuador, Kamboxhia, Poloni, Turqi e të tjera, si dhe konfliktet e armatosura, disa të nxitura nga regjimet autoritare, si në rastin e Azerbajxhanit kundrejt Nagorno-Karabakut dhe Rusisë ndaj Ukrainës apo lufta mes Izraelit e Hamasit, që ka shkaktuar viktima të shumta civile, kontribuan te regresi i përgjithshëm gjatë 2023-shit.

“Freedom House” thekson se Serbia shënoi rënien më të madhe në Europë dhe u vlerësua me 57 pikë, duke rënë tre pikë në kategorinë e të drejtave politike e lirive qytetare nga viti i kaluar. Po ashtu, gjendet në listën e shteteve që sipas organizatës, shënuan rënien më të madhe të lirisë në dekadën e fundit, me 21 pikë.

Sipas ekspertes Karppi, zgjedhjet e mbajtura në Serbi në fund të vitit të kaluara dhe të sfiduara nga partitë opozitare “ishin vetëm një nga arsyet e rënies”.

Disa faktorë të tjerë përfshijnë edhe mungesën e transparencës rreth prokurimit, projekteve në infrastrukturë e politikave të zhvillimit ekonomik, por edhe fushatat denigruese ndaj udhëheqësve opozitarë e kritikëve të regjimit të Beogradit.

Aktualisht ekziston frika e ndonjë hakmarrjeje nëse kritikoni ashpër këtë qeveri. Pra, përgjithësisht një pamje e përkeqësuar. Po shohim një hapësirë që sa vjen e ngushtohet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe po ashtu një zbehje të funksionimit të institucioneve demokratike.

Këtë vit, rënien më të madhe e shënoi enklava e Nagorno-Karabakut ku 120 mijë banorë armenë u detyruan të braktisin shtëpitë nën presionin ushtarak të Azerbajxhanit.

Shtrirja dhe shkalla e përshkallëzimit është e gjerë dhe prek një të pestën e popullsisë së botës. Pothuajse kudo, zbehja e të drejtave është shkaktuar nga sulmet ndaj pluralizmit, bashkëjetesës paqësore të individëve me ide të ndryshme politike, fetare apo identitete etnike.

Në krye të listës së organizatës “Freedom House” renditet Finlanda me 100 pikë, pasuar nga Zelanda e Re dhe Suedia me nga 99.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49492 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE