Tirana pret Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, Rama: Plani i rritjes, mbështetje e re për vendet e rajonit!

vovalbania February 29, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Tirana pret Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, Rama: Plani i rritjes, mbështetje e re për vendet e rajonit!

Sot në Tiranë zhvillon punimet Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Para nisjes së këtyre punimeve, kryeministri Edi Rama reagon në një postim në rrjetet sociale ku shprehet se “ky plan mundëson mbështetje të re për vendet e rajonit”.

Veçantia e një tjetër dite, ku Shqipëria mikpret Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian për Planin e Ri të Rritjes, i cili do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë.

Po ashtu, ky samit do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen europiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale. Në të do të jetë i pranishëm Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, si dhe kryerjen e investimeve që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të Unionit me këto vende.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:

Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Europian

Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal

Përshpejtimi i reformave themelore

Rritja e ndihmës financiare

Bashkimi Europian do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.

Samiti i sotëm zhvillohet një ditë pas atij “Ukraina-Europa Juglindore” në Tiranë nga ku presidenti Zelenskyy ftoi Shqipërinë dhe të tjera vende të Ballkanit, të bashkëprodhojnë municione.  Në Ukrainë veprojnë mbi 500 kompani në fushën e mbrojtjes, por sipas tij, “nuk mjafton për të fituar”.

Shohim probleme në ofertën e municioneve, çka ndikon gjendjen tonë në fushat e betejës. Jemi të interesuar për bashkëprodhimin e municioneve me ju e partnerët tanë.

Ndërsa Ukraina lufton me pushtuesit rusë, në Pallatin e Kongreseve, Zelenskyy hodhi idenë e “një forumi të posaçëm për Industrinë e Mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit”. Siç bëri të ditur, këtë çështje e diskutoi në takimin që pati më herët me kryeministrin Rama në Kryeministri. Në një postim në X, shkroi:

Ndër të tjera, diskutuam dhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës e mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve.

Në selinë e qeverisë, Rama e Zelenskyy firmosën Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Ukrainë, i cili synon të konsolidojë miqësinë mes dy vendeve dhe popujve. Kjo përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes reciprok.

Përpara se të hidhnin firmat për traktatin, presidenti i Ukrainës i dorëzoi kryeministrit Rama “Urdhrin e Princit Jarosllav i Urti”.

Motivacioni: Për kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë.

Nga konferenca për shtyp me kryeministrin Rama, në përfundim të samitit për Ukrainën, presidenti Zelenskyy, paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën. Putinin e kahasoi me Hitlerin.

Edhe kryeministri Rama pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus. Rama shtoi se çështja e ndihmës për Ukrainën, nuk duhet të përdoret për çështje të brendshme politike në shtete të ndryshme.

Kryeministri Rama theksoi se Ukraina meriton të mbështetet dhe ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme. Sipas tij, shtetet si Shqipëria nuk mund të plotësojnë nevojat e mbrojtjes që ka Ukraina, ndaj iu bëri thirrje shteteve të mëdha e të pasura, ta ndihmojnë Kievin.

Pretendimet se ndalimi i dhënies së armëve për Ukrainën do të sjellë paqen nuk janë vetëm cinike, por edhe absurde sepse nuk ndalni luftën duke çarmatosur viktimën. E ndalni luftën duke ndalur keqbërësin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50512 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE