Akuzat e Alibeajt për pazar me Rithemelimin, reagon Spiropali: S’kemi qenë kundër komisioneve hetimore, reforma zgjedhore nuk bëhet dot me…!

vovalbania March 08, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Akuzat e Alibeajt për pazar me Rithemelimin, reagon Spiropali: S’kemi qenë kundër komisioneve hetimore, reforma zgjedhore nuk bëhet dot me…!

Ministrja Elisa Spiropali i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit Enkelejd Alibeaj në lidhje me negociatat mes PS dhe Rithemelimit.

Nisur nga deklarata e Alibeajt, i cili i quan pazare negociatat për normalizimin e Kuvendit, Spiropali tha se Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore.

Ajo shprehet se PS nuk ka qenë kundër komisioneve hetimore dhe nuk e ka penguar ngritjen e tyre.

“Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore. Hamendjet mediatike lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë.
Konkretisht:

1. Ne kurrë s’kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, po bazuar në udhërrëfimet e Gjykatës Kushtetuese kemi refuzuar të votojmë për pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur.

2. Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot.
Kështu që edhe po të donim të negocionim gjësendi me rrugicën e dëshpërimit nuk do ta gjenim dot çfarë mund të ishte, ndërkohë që në Parlament ne shkojmë për të votuar ligje, ndërsa opozitat për t’i debatuar ato me ne. Kur opozitat s’duan të debatojnë po të harbojnë, ne votojmë dhe vazhdojmë punët e tjera. Kaq është e gjitha dhe megjithë keqardhjen e madhe për degradimin e opozitave, nuk kemi asnjë mundësi t’u vijmë në ndihmë as atyre që ulërijnë nga pagjumësia, as atyre që flasin në gjumë”, shkruan Spiropali.

Kujtojmë se një ditë më parë, Top Channel mësoi se po zhvillohen negociata që “zbusin” zemërimin e Rithemelimit dhe rikthejnë qetësinë në Kuvend.

Mësohet se socialistët janë të gatshëm të lëshojnë pe dhe të plotësojnë një pjesë së listës së kërkesave të opozitarëve për hir të normalitetit parlamentar.

Nga 8, shumica parlamentare është e gatshme t’i ofrojë pakicës ngritjen e 2 komisioneve hetimore, të cilat duhet të kenë dakordësi dhe objekt konkret.

Zhbllokimi i hetimit parlamentar synohet të mos jetë produkti i vetëm i negociatave. Dakortësi po kërkohet edhe për reformën zgjedhore, por zgjidhja e ofruar nga Gazment Bardhi nuk e sheh si bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn.

Ndryshe nga sa kërkohet, socialistët nuk kanë në plan te trazojnë më shumë ujërat në radhët e opozitës duke i hequr të mandatuarit të Bashës karrigen e drejtimit në reformën elektorale, por nuk kanë në plan as të tolerojnë zvarritje.

Në rast se deri më 25 mars, Komisioni nuk do ketë produkt konsensual me deputetët e Lulzim Bashës do të shihet një tjetër rrugë.

Komisionit nuk do t’i zgjatet më afati dhe puna për reformën elektorale pritet të zhvendoset në organe të tjera të Kuvendit ku pesha negociuese e Enkelejd Alibeaj humbet bashkë me veton.

Një marrëveshje e mundshme mes PS dhe Gazment Bardhi duket se nuk ka lënë indiferent PD zyrtare, e cila mesa duket ndihet e rrezikuar për pozicionin dhe peshën e saj negociuese me mazhorancën.

Pas sinjaleve që mori në Kuvend, Enkelejd Alibeaj nxitoi të shfaqej nga selia me qira duke rishprehur gatishmërinë për të bashkuar kartonët me socialistët për amnistinë penale.

Burimet gjithashtu bënë të ditur se në negociata ka hyrë edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila ka thirrur në një takim kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi dhe kreun e grupit të PD-së, Gazment Bardhi për të dakordësuar një zgjidhje.

Siç mësohet, PS-ja është e gatshme të votojë pro ngritjes së dy kmisioneve hetimore parlamentare, me kushtin që objekti i veprimtarisë së tyre të jetë i dakordësuar.

Në të njëjtën kohë socialistët janë gati të pranojnë edhe ndryshimin e bashkëkryetarit të komisionit të reformës Zgjedhore, ku në këtë rast do të largohej Enkelejd Alibeaj dhe në vend të tij do të emërohej, Oerd Bylykbashi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48689 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE