Sulm fizik ndaj dy gazetareve në Prishtinë/Reagimi i AGK-së!

vovalbania April 04, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulm fizik ndaj dy gazetareve në Prishtinë/Reagimi i AGK-së!

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar si të papranueshëm një sulm fizik ndaj dy gazetareve të një portali lokal në Prishtinë. Ngjarjen e shënuar një ditë më parë, ky asociacion e cilëson si “kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve në vend”.

Eshtë fjala për gazetaret e portalit Lajmi.net, Fjolla Hyseni e Lindita Berisha. Raportohet se ato u sulmuan fizikisht nga një çift në Rrugën C në kryeqytet, referuar AGK-së dhe portalit ku punojnë.

Ky portal publikoi një video ku shfaqet një grua dhe një burrë duke iu vërsulur dy gazetareve dhe duke tentuar t’iu ndalojnë xhirimet video.

Sipas portalit Lajmi.net, gazetaret e tij u sulmuan “pasi që taksia në të cilin ndodheshin gazetaret ua kishte bllokuar rrugën atyre dhe të njëjtët kishin filluar që ta sulmonin fizikisht taksistin”.

Lajmi.net bëri të ditur se e ka denoncuar rastin në Policinë e Kosovës.

AGK-ja iu bëri thirrje Policisë dhe Prokurorisë t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur.

Asociacioni i Gazetarëve ka regjistruar 10 raste të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në vitin 2023. Në fund të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me nga dy vjet burgim tre të akuzuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla. Ata u dënuan për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Po vitin e kaluar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2022 regjistroi 33 raste, ku gazetarët ishin viktima të dhunës fizike, të sulmeve apo kërcënimeve. Ndërkaq në vitin 2021 u regjistruan 29 raste të tilla.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, në raportin e publikuar në vitin 2023 për të drejtat e njeriut në botë, përmendi “reagimin e dobët të organeve të shtetit” ndaj “çështjes së keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë”.

Në raportin për vitin 2022, organizata Gazetarët Pa Kufij e radhiti Kosovën në mesin e vendeve problematike sa u përket lirisë së mediave.

Në indeksin që përfshin 180 shtete, Kosova radhitet në vendin e 56-të, me një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin paraprak,

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE