Prishtina akuza Beogradit për fushatë “të egër” kundër Kosovës në KiE!

vovalbania April 15, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Prishtina akuza Beogradit për fushatë “të egër” kundër Kosovës në KiE!

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se Serbia po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, duke i cilësuar si “jashtëzakonisht të egra”. Sipas MPJD-së, këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.

Referuar Nenit 4 të këtij akordi, Serbia nuk duhet që të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, së fundi autoritetet serbe kanë formuar një ekip, ku marrin pjesë institucionet shtetërore, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Europës.

Shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të Këshillit të Europës, vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Europës”, theksoi MJPD-ja përmes një njoftimi për media.

MPJD-ja njoftoi edhe se kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla e zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti gjenden në Strasburg, atje ku nesër, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës do të votohet për aplikimin e Kosovës në Këshill.

Gërvalla dhe Ahmeti do të zhvillojnë takime edhe për të koordinuar veprimet e fundit me partnerët e aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Më 27 mars, në Komitetin për Politikën dhe Demokracinë u votua raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis e që thonte se “Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate”. Pas kësaj, raporti duhet të debatohet e votohet në Asamblenë Parlamentare. Nëse kalohet aty, më tej çështja shkon në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Europës e që mblidhet në maj, pasi ka fjalën përfundimtare.

MPJD-ja tha se në Asamblenë e Përgjithshme kërkohen 2/3-at e votave që çështja t’i rekomandohet Këshillit Ministror.

Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror. Mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti.

Kosova aplikoi në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës, organizatë lidere në Europë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Europian e të gjitha vendet e rajonit.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg të Francës, bën monitorimin e zbatimit të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49329 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE