Pse po mbahen zgjedhje në veriun e Kosovës?

vovalbania April 21, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Pse po mbahen zgjedhje në veriun e Kosovës?

Në katër komunat në veri të Kosovës ku serbët janë shumicë, qytetarët janë thirrur të votojnë nëse duan apo jo të largojnë kryetarët shqiptarë. Deri tani, votuesit po tregohen indiferentë dhe burime nga terreni raportojnë se nuk ka zgjedhës pranë qendrave të votimit në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Por, pse po mbahen votimet atje?

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të para një viti, që u zhvilluan pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Për rrjedhojë, drejtimin e Leposaviçit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërsa në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në maj 2023, kur këta kryetarë, me përjashtim të Atiqit, shkuan në zyrë për të nisur punën, u përballën me revoltën e popullatës lokale. Serbët protestuan para objekteve komunale, që funksiononin sipas sistemit serb.

Situata u përshkallëzua më 29 maj 2023 në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra serbë e ushtarakë u lënduan. Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.

Në shtator 2023, qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët.

Sipas udhëzimit, përmes peticioneve, serbët mbledhin 20% të firmave të nevojshme nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar dhe KQZ-ja caktoi 21 prillin si datë të votimit. Po referuar udhëzimit, duhet 50% plus një votë nga lista e votuesve që të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që të shpallë zgjedhjet e reja.

Kur KQZ-ja nisi procedurat për organizimin e votimeve, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit, më 7 prill njoftoi se do të bojkotonte votimet. Kryetari Zllatan Ellek u ankua se autoritetet kanë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”, duke argumentuar se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti, sepse ka bërë gjithçka që të dështojë.

Ditët në vijim, Lista Serbe tërhoqi anëtarët e saj nga Komisionet Komunale Zgjedhore. Vendimi për të bojkotuar votimet u kritikua nga Bashkimi Europian, që i bëri thirrje Listës Serbe ta rishqyrtojë e të mos bëjë thirrje për bojkot.

Dy ditë më parë, kryeministri Kurti iu bëri thirrje serbëve që të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarët, duke argumentuar se ata mund të shkarkohen vetëm përmes votave, “e jo bandave”.

Nëse qytetarët vendosin të shkarkojnë kryetarët, qeveria garanton se ky vendim do të zbatohet me shpejtësi.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49519 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE