Gjeorgji, sërish protesta kundër projektligjit për “Agjentët e huaj”!

vovalbania April 29, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Gjeorgji, sërish protesta kundër projektligjit për “Agjentët e huaj”!

Mijëra njerëz dolën përsëri në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian, Tbilis për të protestuar kundër planeve të partisë në pushtet për të kaluar një projektligj për të cilin kritikët vendas, si dhe vendet perëndimore kanë thënë se do të përdoret për të shtypur zërat e pavarur në vendin e Kaukazit Jugor.

Protesta ishte vazhdim i tubimeve që u mbajtën për dy javë, të udhëhequra nga partitë e opozitës dhe grupet aktiviste kundër atij që po quhet projektligj për “agjentët e huaj”. Sipas kritikëve, drafti pasqyron atë që përdoret nga Kremlini për të bërë të heshtin kritikët në Rusi.

Rreth 10 mijë njerëz u mblodhën në Sheshin e Republikës në qendër të Tbilisit. Protestuesit kënduan himnet e Gjeorgjisë e të Bashkimit Europian, si dhe mbajtën pankarta të BE-së. Disa prej tyre thyen linjat e sigurisë pranë ndërtesës së parlamentit, duke bërë që policia të përdorte gaz lotsjellës e spraj, për të shpërndarë turmat.

Dëshmitarët thanë se policia po lëvizte me pajisje të rënda rreth vendeve të protestës në Sheshin e Republikës e pranë parlamentit.

Përmes një letre dërguar kryeministrit të Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, një grup dypartiak prej 14 senatorësh amerikanë e paralajmëron se synimi për të riçuar në parlament një “ligj për agjentët e huaj të stilit rus” mund të shkaktojë ndryshime në politikën amerikane kundrejt Tbilisit.

Jemi tejet të shqetësuar që po minohen synimet transatlantike të Gjeorgjisë.

Letra u dërgua pasi Komiteti amerikan i Helsinkit i bëri thirrje partisë në pushtet Endrra Gjeorgjiane, ta tërheqë draftin për “Agjentët e huaj” dhe i kërkoi Tbilisit të “largohet nga kjo rrugë e dëmshme”.

Qeveritë perëndimore dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë dënuar projektligjin kontrovers të Gjeorgjisë, për të cilin thonë se “është kopje e një ligji të ngjashëm rus”, që Moska e përdor për të luftuar zërat kritikë në Rusi.

Mijëra gjeorgjianë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër draftit, siç bënë edhe vitin e kaluar kur i njëjti dokument u prezantua vitin e kaluar, por qeveria u detyrua ta tërhiqte.

Projektligji detyron organizatat jofitimprurëse dhe mediat që financohen nga jashtë e që janë të angazhuara në aktivitete “politike”, të raportojnë mbi veprimtarinë e tyre para autoriteteve. Këtyre të fundit iu jep kompetenca të mëdha mbikëqyrëse, si dhe për dënime të mundshme për vepra të paspecifikuara penale.

Senatorët amerikanë i hedhin poshtë pretendimet e qeverisë gjeorgjiane se ky ligj është i barasvlefshëm me atë amerikan e që qytetarëve në SHBA iu kërkon të regjistrohen si agjentë të huaj nëse ata përfaqësojnë interesat e një pale të huaj në Amerikë.

Ish-kryeministri Irakli Garibashvili, kryetar i partisë në pushtet, tha se letra e senatorëve “bazohet në keqkuptime”, si dhe theksoi se “synohet transparencë në një kohë tensionesh së larta”.

Ndjesia antiruse shpesh bëhet e fuqishme në Gjeorgji ku trupat e Moskës ende kontrollojnë rreth një të pestën e territorit. Shumicën e tij e morën gjatë luftës së vitit 2008. Votimi përfundimtar i projektligjit pritet më 17 maj.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51113 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE