Liria e shtypit, Shqipëria e fundit në rajon/”Reporterët pa kufij” përmendin sulmin ndaj Top Channel!

vovalbania May 03, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Liria e shtypit, Shqipëria e fundit në rajon/”Reporterët pa kufij” përmendin sulmin ndaj Top Channel!

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke u renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian. Në Indeksin e fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij” e që përfshin 180 vende, radhitet e 99-ta ndërsa Kosova, e 75-ta.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Vendi ynë ka humbur tre pozicione krahasuar me një vit më parë, kur listohej i 96-ti.

Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera-herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre.

Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai, redaktor i Raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin thotë se krahasuar me standardet europiane, gjendja për gazetarët në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë.

Vitin e kaluar, një punonjës i sigurisë u vra si pasojë e të shtënave me armë zjarri ndaj godinës së televizionit Top Channel. Në vlerësimin për Shqipërinë, kjo pasqyrohet në një tregues më të ulët të sigurisë. Por, edhe katër treguesit e tjerë të lirisë së shtypit kanë shënuar rënie: mjedisi ekonomik, mjedisi politik, kuadri ligjor, si dhe treguesi i jetës shoqërore.

Mes problemeve të vazhdueshme, për të cilat Szalai thekson se vitin e kaluar u thelluan, përmend edhe  nivelin e ulët të zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë të medias në Shqipëri.

Që ndërlikohet më tej nga censura në median online, në rrjetet sociale, diçka e zakonshme atje dhe nga sulmet verbale politike kundër gazetarëve, të cilat bëhen nga të dyja palët, qeveria e opozita.

Sa i përket sigurisë së gazetarëve gjithashtu redaktori Szalai vë në dukje “problemin e krimit të organizuar, si dhe të fushatave online në media të caktuara, me shumë urrejtje dhe shpifje kundër gazetarëve”. Sipas tij, “kjo nuk është diçka e re, por problemet në Shqipëri janë akoma më të mëdha, ndaj dhe vendi renditet i fundit në rajon”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51660 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE