Mes tensioneve, kryeministri gjeorgjian Kobakhidze mbron projektligjin për “Agjentët e huaj”!

vovalbania May 04, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mes tensioneve, kryeministri gjeorgjian Kobakhidze mbron projektligjin për “Agjentët e huaj”!

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze ka vazhduar të mbrojë projektligjin për “Agjentët e huaj”, që ka nxitur protesta masive në Tbilisi duke thënë se “është i nevojshëm për të arritur depolarizimin”, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian. Gjatë një bisede me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ai shprehu zhgënjimin që siç theksoi “partnerët e Gjeorgjisë po hezitojnë të angazhohen në diskutime thelbësore mbi këtë ligj”.

Ende nuk kemi dëgjuar kundërargumente për propozimet tona.

Me ndryshimet e reja, nga organizatat e shoqërisë civile dhe mediat kërkohet të raportojnë lidhur me financimet nga jashtë e të jenë subjekt i mbikëqyrjes qeveritare. Dje, tensionet ishin të larta në Tbilisi pas përleshjeve mes protestuesve e policisë, e cila ka përdorur forcën kundër demonstruesve, përfshirë plumba gome, në përpjekje për të shtypur protestat.

Kobakhidze kritikoi edhe Amerikën, një prej mbështetëseve më të mëdha të Gjeorgjisë, për “deklarata të rreme” lidhur me ligjin. Kryeministri gjeorgjian akuzoi ish-ambasadoren amerikane në Gjeorgji, Kelly Degnan, si dhe organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë, për mbështetje të pretenduar të dy përpjekjeve për revolucion.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Ndërkaq, Michel shkroi në X se në bisedën telefonike me Kobakhidzen, ai ka përsëritur se BE-ja “mbështet plotësisht të gjithë gjeorgjianët të cilët vendosin si prioritet të parë, të ardhmen europiane të shtetit”.

Gjeorgjia është shtet kandidat për anëtarësim në BE dhe po ashtu synon të anëtarësohet në aleancën ushtarake të NATO-s. Këshilltari i lartë në DASH, Derek Chollet, i cili i ka bërë thirrje Khobakhidzes që të tërheqë projektligjin për “Agjentët e huaj”, tha dje se vendi ka arritur në pikën kur po rrezikohen aspiratat e tij euroatlantike.

Ka ende hapësirë që të kthehet në rrugën që populli gjeorgjian dëshiron dhe meriton.

Një valë zemërimi ka mbërthyer mbarë Gjeorgjinë që kur partia në pushtet, Endrra Gjeorgjiane, rivendosi të sillte një version paksa të modifikuar të ligjit për “Agjentët e huaj”. Një vit më parë, për shkak të protestave të mëdha, një draft i tillë i shembullit rus, u tërhoq nga autoritetet.

Më 17 maj pritet votimi i tretë e përfundimtar që pason atë të 1 majit. Tensionet po vazhdojnë të jenë të larta dhe mëngjesin e sotëm, rrugët kryesore të kryeqytetit Tbilis janë mbyllur. Disa protestues ende po presin në to.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51315 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE