Veliaj: Në një qyet ku ndodhin 1 mijë punë, do ketë gjithmonë nevojë që autoritetet të komunikojnë

vovalbania May 06, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Veliaj: Në një qyet ku ndodhin 1 mijë punë, do ketë gjithmonë nevojë që autoritetet të komunikojnë

Në një intervistë për Top News, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se në një qytet ku ndodhin 1 mijë punë apo ku bëhen 10 mijë projekte do të ketë gjithmonë nevojë që autoritetet të komunikojnë me njëri-tjetrin për të sqaruar çdo procedurë. Ai tha se dikur ky bashkëpunim është parë si tabu, por që tani është një sjellje normale.

“Deri tani ka qenë tabu që autoritetet, pushtetet e ndryshme, që edhe pse teorikisht kanë qenë të ndara, të bashkëpunonin, duke u parë gjithmonë si armiqësore. Gjithmonë e më shumë do të jetë normale që në një qyet ku ndodhin 1 mijë punë, 10 mijë projekte, do ketë gjithmonë nevojë që autoritetet të komunikojnë dhe të sqarojnë procedurat me njëri-tjetrin. E kam kërkuar prej kohësh, e kam thënë publikisht, për një bashkëpunim zyrtar me SPAK-un, për të dhënë çdo dokument, çdo informacion, të një pale që nuk ka asnjë kompleks, që është krenare për Tiranën e pastër dhe që ka shprehur gatishmëri totale për të bashkëpunuar. Kjo është sjellja normale”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se nuk duhet të bëjë përshtypje një person që respekton ligjet dhe i përgjigjet autoriteteve, por ata që refuzojnë dhe sulmojnë vazhdimisht organet e drejtësisë. Veliaj ironizoi opozitën kur tha se në rrugën “Murat Toptani” thërrasin “rroftë SPAK-u”, kurse poshtë dritares së Sali Berishës e sulmojnë atë.

“Ajo që duhet të na bëjë përshtypje nuk është njeriu që respekton ligjet dhe i përgjigjet autoriteteve apo e kërkon me ngulm bashkëpunimin. Ajo që duhet të na bëjë përshtypje janë ata që refuzojnë të bashkëpunojnë, që refuzojnë të shkojnë në SPAK, që i sulmojnë organet e drejtësisë. SPAK-u është institucion i Republikës së Shqipërisë… sepse e pashë që u komentua shumë edhe fjala ‘koleg’, por unë ju quaj kolegë edhe juve të medias, pra të gjithë njerëzit që janë angazhuar në një vokacion publik, për të ndihmuar që ky shtet të funksionojë, që administratat të funksionojnë sa më mirë. Ndaj, edhe juve ju quaj kolegë sepse keni një mision që Shqipëria të ecë përpara. Kush i sheh si armiq, qartazi nuk do që disa institucione të funksionojnë. Unë nuk mund që them se kur i kam punët pa lidhje me autoritetet e tjera, çdo gjë është perfekt, ama vetëm kur më kërkohet një shpjegim nga autoritetet e tjera, këta të shpallen armiq. Një njeri duhet të jetë konsistent. Unë atë që them te rruga “Murat Toptani” e them edhe te rruga “Mustafa Matohiti”. Ti nuk mundesh që te rruga “Murat Toptani” të thuash ‘rroftë SPAK-u’ dhe nuk mundesh ta degjenerosh këtë institucion tre rrugë më tej, kur shkon te shtëpia e Saliut. Pra, kemi bërë detyrën dhe gjithmonë e më shumë kjo do të jetë normalja e re, e njerëzve që bashkëpunojnë”, deklaroi ai.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51373 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE