Studimi tregon se çiftet ndahen pas pushimeve të para bashkë, Arnita Beqiraj: “Më duhet një partner, jo shok dhome…”
E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë regjisorja Arnita Beqiraj. Ajo ka diskutuar më shumë lidhur me një studim të publikuar së fundmi, që tregon se më së shumti çiftet ndahen pas pushimeve të para të kaluara së bashku. Si e komenton Arnita këtë, a ndodh vërtet kështu? Ja çfarë duhet të kemi parasysh sipas saj…
Çfarë mendimi ke për këtë studim?
Nuk do ta kasha menduar ndonjëherë, sepse supozohet që pushimet të jenë pjesa e bukur e një lidhje. Patjetër që edhe bashkëjetesa, qoftë edhe në pushime, nxjerr në pah disa tipare tonat që nuk mund t’i kemi në ambientet jashtë.
Sa i përket një prej problemeve kryesore, është dhe aparenca gjithmonë e kuruar në takim, në ndryshim me gjendjen në shtëpi…
Është paradoksi i kohëve që po jetojmë. Është e vështirë që njeriu të ketë përmbajtje, i japim shumë rëndësi aparencës kohët e fundit. Më shqetëson imazhi i vajzave të stërmunduara që përpiqen të ndryshojnë veten e tyre. Është diçka që unë nuk e kam aplikuar asnjëherë. Unë kam qenë 20 vjeç kur vendosa që nuk do lyhem më fare. Duhet të punojmë me veten dhe të kuptojmë atë që duam.
Studimi tregon se një nga arsyet e ndarjes ishte sepse partneri është zgjuar vazhdimisht gjatë natës.
Asnjëra nga arsyet, nuk ishin arsye të qenësishme. Nuk e di për çfarë target-group është bërë ky studim, nëse është bërë për 16-26 vjeç, mund të ndodhë të zihesh që pse ai teshtiu 3 herë dhe ti përton t’i thuash ‘shëndet’. (qesh) Atëherë mund ta kuptoj, por në një raport të maturuar janë gjëra të tjera ato që kanë rëndësi dhe peshë.
Si gjehet ura e përbashkët në një bashkëjetesë, sipas eksperiencës tënde?
Në raporte të tilla ka ca rregulla që janë të pashkruara, por i bën nga dëshirat. Gjërat rrjedhin vetë, nuk sforcohen. Kur ti ke marrë vendimin për të bashkëjetuar, secili Ii di pozitat e tjetrit. Unë nuk jam njeriu që e shoh gjënë automatikisht, 50 me 50. Sepse kështu ti nuk ke një partner jete, por një shok apo shoqe dhome. Unë për vete nuk dua një shok dhome…