13 vjet përkrah Vis Pupës, Belina zbulon sekretin e marrëdhënies së fortë në çift
Belina dhe Elvis Pupa janë ndër ato çifte që të bëjnë të besosh te dashuria e përjetshme. Prej më shumë se një dekade bashkë, çifti i njohur duken më të dashuruar se kurrë. Ajo është aty për ta mbështetur në çdo eksperiencë, siç ishte ajo e fundit në BBVIP, e njësoj edhe ai për të.
E ftuar në “Një gotë Rose”, Belina ndau me publikun si nisi gjithçka, si dhe disa nga sekretet e marrëdhënies së tyre jetëgjatë.
“Njohja me Elvisin ka qenë e pamenduar, ka ardhur krejt papritur. Ajo që kam vlerësuar shumë ishte karakteri i tij. Më ka pëlqyer shumë se është treguar i sinqertë me mua, që ditën e parë që jemi takuar dhe deri tani pas 13 viteve. Kishte mentalitet të hapur, që ditën e parë që e kam parë më dha ndjesi ndryshe të çdo personi që kisha njohur më përpara. Ishte i kuptueshëm, jo gjykues. Ishte e rrallë, ne si shqiptarë gjykojmë shpejt. Ajo që unë dashuroj tek Elvisi, që pëlqej shumë, është se është shumë i qytetëruar dhe s’ka ndryshuar. Më ka ndihmuar të jem vetvetja.
Është çuditshme, sepse kur kemi nisur lidhjen me njëri-tjetrin, Elvisi më ka thënë që s’po të marr në telefon për të të thënë të dua, por kam qejf të njihem me ty sepse më pëlqen shumë si gocë. Marrëdhënia jonë filloi që me telefonatën e parë, ku u tregova vetvetja, i tregova pikat e mia të forta dhe të dobëta, që të mos më thoshte “ti nuk ishe siç më the”. Ky ka qenë themeli i marrëdhënies sonë, të dy jemi treguar vetvetja. Unë isha 25 vjeçe dhe Visi 32, ishim të pjekur, ose na dukej vetja të pjekur atëherë. Sa shumë nuk kishim ditur, por praktikën e kemi bërë bashkë gjatë rrugës,” –tha Belina.
Më tej, ajo rrëfeu edhe atë që e quan sekretin e marrëdhënies së tyre të fortë.
“Sekreti i marrëdhënies sonë është se ne kemi 0 sekrete me njëri-tjetrin. Çdo gjë ia themi njëri-tjetrit, të mirat e të këqijat, dhe jo të gjykohemi. Mundohemi të ruajmë njëri-tjetrin. Nuk është se jemi perfekt, por s’e gjykojmë njëri-tjetrin”, -tha ajo.