Bie kërkesa për shkollat e larta në vend, 10 mijë studentë ikin jashtë!

vovalbania August 08, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Bie kërkesa për shkollat e larta në vend, 10 mijë studentë ikin jashtë!

Mbi 21 mijë maturantë kanë aplikuar për të ndjekur studimet e larta në Shqipëri. Pas mbylljes së procesit të përzgjedhjes së degëve në formularin A2, ekspertë në Ministrinë e Arsimit tregojnë se cilat janë programet më të preferuara nga të rinjtë.

Mjekësia, farmacia, stomatologjia dhe degët e tjera të Universiteteve të Mjekësisë zënë vendin e parë në preferencat e maturantëve të këtij viti. Në vend të dytë janë programet e fakulteteve të ekonomisë me një diferencë të ngushtë nga degët e teknologjisë së informacionit. Këtë vit bie kërkesa më e ulët për drejtësinë, e cila është në vend të katërt në preferencat e të rinjve.

Tashmë universitetet publike dhe private, kanë nisur përllogaritjen e pikëve për çdo kandidat, referuar rezultateve të gjimnazit, notave të Maturës Shtetërore dhe kritereve të vendosura nga shkollat e larta për çdo program studimi.

Më 30 gusht, universitetet shpallin listën e fituesve përmes portalit-u Albania, për të nisur më pas procesin e regjistrimit në shkollat e larta, sipas raundeve të ndryshme që mundësojnë lëvizjen e listës.

Ajo që bie në sy, këtë vit, është numri i ulët i kandidatëve për universitetet shqiptare, rreth 21 mijë  aplikues nga 31 mijë që është numri i maturantëve të këtij brezi.

Ndërkohë që në shifrën e aplikuesve janë përfshirë edhe maturantët nga Kosova, të cilët sivjet hyjnë në garë të barabartë me të rinjtë nga Shqipëria. Ndërkohë burime nga ministria e Arsimit informojnë se mbi 10 mijë maturantë nga Shqipëria këtë vit kanë aplikuar për të studiuar në universitete jashtë vendit.

Sezoni 2021-2022

Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2021-2022, morën pjesë 73 mijë e 493 studente femra, ose 59,3 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.

Kurse në programet Bachelor, për të njëjtën periudhë, kanë marrë pjesë në arsimin e lartë 72 mijë e 852 studentë, duke shënuar një ulje prej 2,1 për qind krahasuar me periudhën 2020-2021.

Analizuar për secilën fushë studimi, krahasuar me vitin e kaluar akademik, është vërejtur ulje e numrit të studentëve që ndjekin arsimin e lartë në fushat “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 19,9 për qind dhe “Arte dhe shkenca humane” me 13,1 për qind.

Nga ana tjetër, fushat “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” dhe “Shëndet dhe mirëqenie” paraqesin rritje të numrit të studentëve me përkatësisht 9,8 për qind dhe 4,4 për qind.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 52189 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE