Hyn në fuqi Plani Europian i Emergjencës për gazin!
Sot hyn në fuqi Plani i Emergjencës së Bashkimit Europian për t’i paraprirë ndërprerjes së mundshme të furnizimeve me gazin rus. Kjo pason publikimin e djeshëm të tij në Fletoren Zyrtare të Unionit. Në bazë të këtij plani, vendet anëtare të Bllokut angazhohen vullnetarisht që nga 1 gushti deri më 31 mars të vitit të ardhshëm, të pakësojnë me 15% konsumin e gazit, krahasuar me konsumim mesatar gjatë së njëjtës periudhë në pesë vitet e fundit.
Sipas përllogaritjeve të bëra nga Komisioni Europian, synimi është që përmes këtij plani të kursehen 45 miliardë metër kub gaz. Vetëm Gjermanisë do t’i duhet konsumojë rreth 10 miliardë metër kub gaz më pak. Qëllimi i planit për kursimin është përgatitja për mundësinë e një ndërprerjeje të plotë të furnizimeve me gazin rus për shtetet që janë pjesë e Bashkimit Europian, pasi në muajt e fundit, Moska ka vendosur të pakësojë ndjeshëm furnizimet e Bllokut. Rusia iu kundërpërgjigj sanksioneve të Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë dhe presidenti Vladimir Putin urdhëroi pagesa në rubla për gazin rus. Për ata që kundërshtuan, nuk pati më furnizime nga kompania shtetërore “Gazprom”.
Ndër të tjera, plani i ri europian i kontingjencës parashikon edhe mundësinë e vendosjes së kuotave të detyrueshme të kursimit të gazit në të gjithë Bashkimin Europian, gjithnjë në rast mungese të madhe të furnizimeve me gaz. Të paktën 15 vende anëtare të Unionit e që përfaqësojnë më shumë se 65% të popullsisë së përgjithshme të Bllokut do të duhet të japin miratimin e tyre për aktivizimin e alarmit për uljen e detyrueshme të konsumit të gazit.
Disa vende anëtare, ndër to edhe Italia fqinje e po ashtu Spanja, kanë siguruar përjashtimin nga një situatë e tillë dhe do t’u duhet të kursejnë më pak se 15% të konsumit. Fillimisht është menduar që, plani i emergjencës të jetë në fuqi për një vit.