E fundit, mësohet identiteti i viktimave të atentatit në Vlorë!
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Vlorë, ku dy persona kanë mbetur të vdekur pasi janë qëlluar nga një makinë në lëvizje në afërsi të fshatit Panaja, teksa po udhëtonin me makinën e tyre. Mjeti me të cilin ata po lëviznin i tipit “Mercedes Benz C Class” është qëlluar në ecje nga mbrapa dhe për pasojë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal.
Halim Xhezo dhe Shpati Lena janë dy personat e mbetur të vrarë mëngjesin e sotëm në një atentat në mbikalim të Panajasë në Vlorë. Gazetarja Anila Hoxha e Top Channel ka mësuar se vëllai i viktimës, shtetasi Eduart Xhezo dy vjet më parë ka vrarë shtetasin Arben Beqiri.
Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMW”, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Nga kqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike. Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, Delta Forcës e FNSH-së, në bashkëpunim me DVP Fier kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.