OriginAL, zbulo rrënjët e tua!

vovalbania August 23, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
OriginAL, zbulo rrënjët e tua!

Të jesh në tokë të huaj dhe të jesh i vetëdijshëm për rrënjët e tua, është pjesë thelbësore e identitetit të individit. Këtë thirrje të përkatësisë kombëtare, shumë prej të ikurve në vendet jashtë Shqipërisë, e ndiejnë dhe e trashëgojnë brez pas brezi. Diaspora shqiptare ka qenë tradicionalisht aktive në vendet nga kanë ikur, nga kudo ku flitet gjuha shqipe. Por, gjatë viteve të fundit, të pakta kanë qenë organizimet brenda vendit për t’u hapur një portë njohjeje të rinjve me origjinë shqiptare.

Këtë mision e ka marr përsipër organizata Germin dhe Global Albanians Foundation, me një program shumë domethënës i cili synon të njohë të rinjtë e diasporës, me vendin e tyre të origjinës. Programi OriginAL mblodhi 45 të rinj nga diaspora në Shqipëri dhe Kosovë për një udhëtim dyjavor (16-21 gusht) drejt kulturës, traditës, kulinarisë dhe gjuhës shqipe, duke i shëtitur në të dyja shtetet. Ftesa për këtë udhëtim tërhoqi shumë vëmendje dhe interesi shumë i madh i të rinjve tregon se edhe pse kanë lindur në vendet ku jetojnë, kurioziteti mbetet ende për të zbuluar vendet e tyre mëmë.

Dinamika e re e emigrimit te shqiptarët e ka bërë sfiduese ruajtjen e traditës, kulturës dhe gjuhës, për këtë arsye, OriginAL rreket të forcojë lidhjen e të rinjve të diasporës me vendet e të parëve, identitetin kombëtar, si dhe njohjen e tyre me bashkëmoshatarët që jetojnë në trojet shqiptare.

Duke patur si synim mbështetjen e projekteve që promovojnë vendin, si edhe nxisin edukimin mes të rinvje, One Telecommunications dhe ALBtelecom e mbështetën këtë program me shumë dashamirësi, duke i ofruar komunikim falas 45 të rinjve pjesëmarrës, përgjatë gjithë ditëve që vizituan Shqipërinë. Gjithashtu, ONE dhe ALBtelecom organizuan një mbrëmje festive për të ndarë momentet më të bukura përgjatë këtij udhëtimi.

Të rinjtë mes moshave 18-25 vjeç u shprehën entuziastë dhe të mahnitur nga historia dhe peizazhet e trojeve shqiptare.

Elsa, 24 vjeç nga Tetova, e lindur dhe e rritur në Gjermani, u shpreh: “Një nga gjërat që më pëlqeu më shumë nga programi ishte se mund të mësoja më shumë mbi historinë e Shqipërisë. Gjithmonë kam qenë krenare që jam shqiptare, por tani e ndiej veten akoma edhe më shumë”.

Jetnisi, nga Kosova, është rritur në Bruksel, aty ku aktualisht vazhdon dhe studimet e tij për Inxhinieri Elektromekanike. Ai u shpreh se mësoi për programin përmes rrjeteve sociale dhe ishte shumë i lumtur që pati mundësinë të përfshihej, pasi e ndiente veten shumë të lidhur me vendin e tij të lindjes. Jetnisi tha se çdo vit rikthehej në Kosovë, por këtë herë, këtë udhëtim e bëri më emocionues fakti që e ndau përvojën me të tjerë bashkëmoshatarë, të ngjashëm me të në aspektin e mendësisë. Së bashku, ata e kultivuan edhe më tepër ndjenjën e patriotizmit dhe atdhedashurisë.

Ndërsa Trina, 21-vjeçarja e lindur dhe e rritur në Londër, e cila studion për Artet e Bukura në Universitetin e Arteve në Londër, tha se i pëlqente shumë që kishte mësuar mbi historinë e komunizmit në Shqipëri dhe se mezi po priste të bënte projektin e saj në lidhje me çfarë kishte mësuar gjatë programit. “Ishte hera ime e parë që vizitoja Shqipërinë dhe Kosovën dhe do doja që të ndaja historinë e tyre përmes projektit tim në arte, në mënyrë që njerëzit të mësojnë më shumë për këto vende.”

Ruajtja e identitetin që buron nga origjina nuk është gjithmonë e lehtë për t’u arritur, pasi përshtatja dhe asimilimi në kulturat e tjera, shpesh herë sjell shkëputje nga gjuha, tradita apo kultura mëmë. Por, përmes programeve të tilla si OriginAL, lidhja me vendin nxitet dhe ruhet si një investim që do të trashëgohet edhe tek brezat pasardhës. Mbështetja nga ONE dhe ALBtelecom synon që të rrisë impaktin e këtij programi dhe të kontribuojnë pozitivisht në vazhdimësinë e tij.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 54530 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE