Gruaja nga Zelanda e Re zgjohet e paralizuar pasi kishte konsumuar midhje të mbledhura në plazh!
Një grua në Zelandën e re mbeti e paralizuar pasi hëngri midhjet e mbledhura në plazh. Gruaja, pa e kuptuar ka gëlltitur helmin paralizues të midhjeve, një biotoksinë natyrale, që prodhohet nga një mikroalgë, e cila mund të kontaminojë molusqet dhe midhjet. Ngjarja ndodhi në Maketu të Zelandës e Re, në bregun e Gjirit të Plenty në ishullin verior, ndërsa Kim Taia u shpëtua në spital pas 12 orësh paralize.
Pasi u shërua gruaja donte të ndante përvojën e saj për të paralajmëruar popullatën që të mos hante molusqe të pakontrolluara. Kim kishte gëlltitur midhjet që kishte mbledhur në plazhin Little Wahi në Maketu dhe i hëngri pa u shqetësuar shumë për pasojat. Por të nesërmen ajo u zgjua me dhimbje:
Koka ime filloi të mpihej dhe më merreshin mendtë, nuk mund të flisja qartë dhe pyesja veten se çfarë nuk shkonte, isha e trullosur, por më pas fillova të humbas ndjeshmërinë në duart dhe krahët.
Kur kishte parë se situata po përkeqësohej dhe se nuk mund të fliste më, djali menjëherë thirri një ambulancë. E shtruar në spital, gruaja tha se ndihej “si nën anestezi”:
Ndihesha gjithnjë e më e dobët, frymëmarrja po më ngadalësohej dhe mendova se do të vdisja. Nuk mund të merrja frymë.
Më pas mjekët arritën ta shpëtonin. Çfarë është helmi paralizues i midhjeve? Është shprehja më pak e njohur që tregon STX, ose saksitoksina. Është një toksinë detare e fuqishme e tretshme në ujë, e sintetizuar nga algat mikroskopike, të njohura si dinoflagellate. STX është një nga fajtorët e sindromës së molusqeve bivalve (ose PSP, akronimi i Paralityc Shellfish Poisoning), i cili shkakton simptoma që variojnë nga ndjesi shpimi gjilpërash dhe mpirje e buzëve deri te paraliza e plotë e frymëmarrjes, me një prognozë të dobët. Në raste të rënda, mund të jetë vdekjeprurëse.