Presidenti serb Vuçiç nuk është më pro idesë së rishikimit të kufijve me Kosovën!

vovalbania September 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti serb Vuçiç nuk është më pro idesë së rishikimit të kufijve me Kosovën!

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se “dikur e shihte si zgjidhje rishikimin e kufijve me Kosovën, por tani jo më, pasi rrethanat kanë ndryshuar”. Vuçiç foli në një seancë të Parlamentit të Serbisë, ku për të dytën ditë me radhë u diskutua për dialogun me Kosovën dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve se cila është zgjidhja e tij për Kosovën, Vuçiç u shpreh:

Situata politike ka ndryshuar, jo vetëm me vullnetin tonë, por edhe me vullnetin e fuqive të mëdha”. Pozicioni nuk mund të jetë i njëjtë para dhe pas vitit 1999, as pas vitit 2008, as pas vitit 2010. Nuk po fsheh gjë, kam menduar se demarkacioni i kufirit është zgjidhje. E kam kuptuar se kjo është e pamundur, sepse të gjithë më jeni hedhur në kokë.

Ideja e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë u shpalos në vitin 2018 nga vetë presidentët e atëhershëm Vuçiç e Hashim Thaçi. Por, kjo ide ka hasur në reagime pro e kundër, si në Kosovë e Serbi, ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare.

Kritikët thanë se mund të shkaktonte efekt domino edhe midis vendeve të tjera që kanë çështje të hapura. Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që prej vitit 2011. Pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të arritura, zbatimi për shumë prej tyre ka ngecur.

Procesi i negociatave pritet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova këmbëngul që ky akord të përfshijë njohje reciproke, por tani për tani, Prishtina refuzon duke insistuar në një “zgjidhje kompromisi”. Një ditë më parë, presidenti serb vuri në dukje se “Serbia nuk do ta njohë në asnjë formë pavarësinë e njëanshme të Kosovës”. Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së filluar nga forcat e Millosheviçit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE