Përfundon takimi Kurti-Lajçak: Nuk ka kornizë të re të dialogut Kosovë-Serbi!

vovalbania September 15, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Përfundon takimi Kurti-Lajçak: Nuk ka kornizë të re të dialogut Kosovë-Serbi!

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar pasditen e sotme në Prishtinë, në një vizitë të paparalajmëruar.

Ai është takuar me kryeministrin, Albin Kurti, si dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Lajçak deklaroi se është takuar me Kurtin për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa me Bislimin tha se ka diskutuar për çështjet e lirisë së lëvizjes, çështjet e personave të pagjetur dhe çështjet e energjisë.

Ai nuk pranoi që të hyjë në detaje për diskutimet, duke thënë se kjo nuk i bën mirë procesit.

Lajçak: Ne duam të sigurohemi që jemi duke kërkuar në mënyrë aktive zgjidhje për këto çështje, të shmangim, e dini, tensionet ose përshkallëzimin. Prandaj ramë dakord që të vij, dhe patëm diskutime të dobishme dhe sigurisht që ky diskutim do të vazhdojë… Nuk mendoj se do të jetë e dobishme të flasim për detaje. Ajo që thashë, është me të vërtetë e rëndësishme që të diskutojmë rrugën drejt së ardhmes, që është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Dhe gjithashtu çështjet aktuale për t’u siguruar që ato nuk po na pengojnë drejt normalizimit. Dhe nuk mendoj se do ta ndihmonte procesin nëse tani hyjmë në detaje.

Ai nuk pranoi të japë datë të takimit të ardhshëm. Megjithatë, u shpreh se është habitur kur ka dëgjuar për kornizë të re të dialogut, të cilën e ka paralajmëruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajçak ka thënë se janë duke punuar për ta caktuar datën e takimit dhe njoftoi se këtë muaj do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Vuçiq, si dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Lajçak: Po, u habita kur dëgjova fjalën “Armatura”, po përpiqem të kuptoj se çfarë do të thotë armatura sinqerisht. Mirë. Gjithsesi, ne jemi këtu për të çuar përpara procesin e normalizimit dhe takimi i radhës do të bëhet sapo të përgatitet mirë. Pra, dhe ky është gjithashtu një nga qëllimet pse jam këtu sot. Pra, sepse ju e dini, ne duam të sigurohemi që takimi të ketë një përmbajtje dhe të prodhojë diçka. E rëndësishme është që të dy liderët janë të gatshëm të takohen, BE-ja është e gatshme t’i presë ata, por ne jemi duke përgatitur agjendën. Nuk do të duhen 13 muaj të tjerë, unë mund t’ju siguroj, nëse do të jetë në shtator nuk jam i sigurt gjithashtu, sepse ne kemi Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, siç e dini, unë do të jem në Nju Jork, Presidenti Vuçiq do të jetë në Nju Jork, J. Borell do të jetë në New Yourk. Ne jemi duke punuar për ditën dhe agjendën e saktë.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se gjatë takimit të Kurtit e Bislimit me Lajçak, u potencua vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër. U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan Lajçak për angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë proces”, thuhet në komunikatë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48643 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE