Çrregullimet e shëndetit mendor tek të rinjtë

vovalbania September 29, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Çrregullimet e shëndetit mendor tek të rinjtë

Një jetesë e shëndetshme, bazuar në filozofinë eco health përktheht edhe në një shëndet mendor të qëndrueshëm.

Studimet e fundit tregojnë se 1 në 7 fëmijë dhe adoleshentë përjetojnë forma të çrregullimit mendor. E thënë në përqindje, 13% të barrës globale të sëmundjeve e zë kjo tipologji në këtë grupmoshë. Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin e fundit të saj (viti 2021) evidenton se statistikat i përkasin fëmijëve dhe adoleshentëve nga mosha 10-19-vjeç.

Mjekja e njohur psikiatre në Shqipëri Arjana Rreli tha se të rinjtë përjetojnë këto forma më të shpeshta të çrregullimeve të shëndetit mendor: “Forma më e ndeshur e çrregullimeve të shëndetit mendor tek të rinjtë është ankthi. Në fakt ankthi përbën edhe përqindjen më të lartë të sëmundjeve të shëndetit mendor në të gjithë popullatën”- thekson Rreli.

Fatkeqësisht format e rënda të shfaqjes së tyre si dhe mungesa e trajtimit mund të çojë deri në vetëvrasje, akti i flijimit që ka njohur rritje në vitet e fundit. OBSH në këtë rast thotë se vetëvrasjet janë shkaku kryesor i vdekjeve  për grupmoshën 15-19 vjeç që vijnë si pasojë e depresionit.

Referuar shkaqeve, mjekja Arjana Rreli e vë theksin tek abuzimi që kanë të rinjtë me substancat e ndaluara. “Arsyet më të shpeshta që të rinjtë të vuajnë nga çrregullimet e shëndetit mendor vijnë si pasojë e veseve dhe e përdorimit të substancave të ndaluara. Por, mos harroni që këto janë kohëra të ndryshimeve të mëdha. Të rinjtë idealizojnë modelet e së bukurës, të mirave materiale që synojnë t’i përfitojnë në rrugë të shpejtë dhe pa lodhur. Janë modelet të cilat nuk e mësojnë fëmijën dhe të rinjtë të ecin në rrugën e përpjekjeve reale”.

Gjithashtu mjekja psikiatre e vë theksin edhe tek ndryshimet demografike dhe përballja me mentalitetin e ri të qendrave të urbanizuara.

“Janë modelet e familjes që në shumicën e rasteve janë familje që vijnë nga situata të vështira familjare, problematika ekonomike, mbartin në vetvete mentalitet kryesisht mes paragjykimesh” – thotë mjekja.

Një adoleshent në kushtet kur vuan nga këto çrregullime ndihet më i diskriminuar, stigma është prezente dhe bashkëshoqëruese e tij, dhe natyrshëm krijon përjashtimin social. Në shumë raste, vetë-përjashtim social.

Arsyet mund të jenë të shumta që mund të ndikojnë në problemet dhe çrregullimet e shëndetit mendor. Nga dhuna në familje, stresi, gjithashtu ndryshimet fizike, emocionale dhe sociale, duke përfshirë ekspozimin ndaj varfërisë, abuzimit, mund t’i bëjnë adoleshentët të prekshëm ndaj problemeve të shëndetit mendor.

Për të ndihmuar të rinjtë, në reduktimin e rasteve të kësaj natyre, familja dhe edukimi në shkollë janë faktorët kyç që mund ta bëjnë të ardhmen e adoleshentëve më të shëndetshme.

“Një tjetër arsye që të rinjtë shkojnë drejt veseve të tilla është që prindërit vrapojnë për të siguruar të ardhura materiale duke harruar kujdesin ndaj fëmijëve të tyre dhe nuk mos folur hapur për problematikat me të cilat ata ndeshen”- argumenton mjekja Rreli.

Mbrojtja e adoleshentëve nga problemet familjare, promovimi i të mësuarit socio-emocional dhe i mirëqenies psikologjike, dhe sigurimi i aksesit në kujdesin e shëndetit mendor janë të rëndësishme.

Stresi që është një ndër faktorët kryesore të sëmundjeve të shëndetit mendor që jo gjithmonë arrin të identifikohet nga familja dhe të pranohet nga vetë fëmija. Por përveç rolit të familjes në shtëpi, të mësuesit dhe psikologut në institucionet arsimore, i takon dhe pushtetit lokal dhe me gjerë të gjejë mundësinë e nismave dhe politikave për mbrojtjen e të rinjve. Jo vetëm një sistem arsimor i sigurt, nismave që kanë ndikim në aspektin ekonomik, por edhe iniciativave argëtuese dhe kulturore do ndikonin pozitivisht në argëtimin cilësor të rinjve dhe shmangien ambienteve të kufizuara.

Tirana është shpallur kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022 dhe për këtë arsye janë ndërmarrë një sërë nismash dhe aktivitetesh nga Kongresi Rinor Kombëtar dhe Bashkisë së Tiranës me fokus të rinjtë me qëllim që të krijohen sa më shumë mundësi për ta, te frymëzohen dhe të jenë një zë aktiv në shoqëri. Gjithashtu diskutohen problematika të caktuara të cilat kanë për qëllim sensibilizimin e tyre. Aktivitetet argëtuese janë gjithashtu një arsye që të rinjtë të shohin një alternativë më argëtuese duke dalë nga e përditshmja e tyre.

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth

#EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48958 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE