Vazhdojnë dorëheqjet e serbëve në Kosovë/Deputetët e Listës Serbe lënë mandatet!

vovalbania November 07, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vazhdojnë dorëheqjet e serbëve në Kosovë/Deputetët e Listës Serbe lënë mandatet!

Dhjetë deputetë të Listës Serbe sot dorëzuan dorëheqje të parevokueshme në Kuvendin e Kosovës.

Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista Serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme.

Dy ditë më parë, përfaqësuesit e serbëve dhanë dorëheqje nga komunat në veri të Kosovës, si edhe nga gjyqësori, policia, qeveria e po ashtu Kuvendi i Kosovës. Paralajmërimet e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës për largim nga institucionet, erdhën pas vendimit të Prishtinës zyrtare për pezullimin e kreut të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi të zbatonte vendimin e kabinetit Kurti për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në RKS-Republika e Kosovës.

Pjesëtarë të policisë së EULEX-it shihen duke hyrë dhe dalë nga stacioni i policisë në veri të Mitrovicës, në kohën kur policët serbë po dorëzojnë armët dhe uniformat.

Tirana zyrtare komenton me shqetësim zhvillimet në veri të Kosovës. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një postim në Twitter shkruan:

Dalja nga institucionet e Kosovës është një akt përshkallëzimi në një kohë kur nevojitet bashkëpunim dhe dialog konstruktiv. Ky nuk është momenti për të hequr dorë dhe bojkotuar. Ky është momenti kur dialogu nevojitet më shumë se kurrë.

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjedhin rrugën e bisedimeve e të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe përplasje. Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë tha:

Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale e ka mundësi të përshkallëzojë më tej tensionet në terren. Të gjitha palët e përfshira duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen e qëndrueshmërinë. Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme e ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48803 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE