Akti i ri normativ, qeveria autorizon 570 milion euro investime buxhetore në dy muaj!

vovalbania December 09, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Akti i ri normativ, qeveria autorizon 570 milion euro investime buxhetore në dy muaj!

Në aktin e katërt normativ për ndryshimin e Buxhetit 2022, qeveria e çoi më rritje fondin e investimeve publike edhe më shumë se programi fillestar, ndonëse deri në fund të tetorit ky zë buxhetor kishte ecuri mjaft të dobët. Rishikimi i fundit tregon një rritje të shpenzimeve kapitale në 122,6 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë euro. Rritja e këtij zëri u bë në një kohë përgjatë 10 muajve, nga janari në tetor 2022 janë shpenzuar vetëm 55,7 miliardë lekë dhe për dy muaj autorizohen të shpenzohen edhe 67 miliardë lekë.

Në dy muaj, qeveria do të angazhojë 54.5% të gjithë programit vjetor të investimeve, shumica e të cilave do të alokohen në muajin dhjetor. Më herët në qëndrimet zyrtare, Ministria e Financave lajmëroi se rishikimet buxhetore do të kryheshin sipas ecurisë së zërave. Në rastet kur nuk kishte realizim sipas programit, fondet do të rialokoheshin. Sipas kësaj logjike, fondi i parealizuar i investimeve duhej të shkonte për shërbimin e borxhit, i cili tani po përballet me kosto të larta nga rritja e normave të interesit.

Fondi për investimet kapitale ka ndryshuar tre herë në aktet normative. Në buxhetin fillestar, fondet për investime u përcaktuan në 119,4 miliardë lekë dhe me tej në mars 2022, u ulën në 109 miliardë lekë për shkak të ecurisë së dobët në tremujor. Në korrik 2022, fondet për investimet kapitale u rishikuan me rritje në 112 miliardë lekë dhe në aktin e fundit u përcaktuan në 122,6 miliardë lekë, gati 3 milion euro më shumë se programi fillestar.

Angazhimi i një shume të tillë investimesh e stimulon rritjen ekonomike të vendit në një ekohë që kërkesa e brendshme konsumatorë ka pësuar rënie. Rritja e stimulit fiskal do të ndihmojë rritjen ekonomike të qëndrojë në territor pozitiv, por përqendrimi vetëm në dy muaj i rreth 570 milion eurove ose 55% e fondit vjetor, vë në diskutim efiçencën e këtij zëri.

Prej vitesh, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Auditit në Ministrinë e Financave kanë ngritur shqetësimin në auditet ndaj Buxhetit të Shtetit se ka mospërputhje midis zbatimit e ligjit të buxhetit. Me ndryshimet e fundit, të ardhurat buxhetore rriten 5 miliardë lekë, duke arritur në 581,8 miliardë lekë nga 576,8 miliardë lekë që ishin programuar në aktin normativ të miratuar në muajin korrik. Shpenzimet në aktin normativ arrijnë në 665,6 miliardë lekë, nga 660,6 miliardë lekë të parashikuara më parë. /Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE