Pasojat e motit të keq në qarqet Elbasan e Durrës/Probleme edhe me energjinë elektrike!

vovalbania December 11, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pasojat e motit të keq në qarqet Elbasan e Durrës/Probleme edhe me energjinë elektrike!

Pasojat e motit të keq me shira e që janë shtrirë nga veriu në jug të vendit, nuk kursejnë aq qarqet Elbasan e Durrës. Te ura e Shkumbinit në aksin Elbasan-Cërrik një biznes rrezikoi përmbytjen, ndërsa në fshatin Mjekës Nj.A Shirgjan, uji rrezikoi të hynte në një banesë. Në të dyja rastet është dashur ndërhyrja nga punonjësit e ASHP dhe MZSH Elbasan.

Akset rrugore janë të hapura për qarkullimin e mjeteve, por gjatë natës ka pasur prani inertesh në Elbasan-Qafë Thanë, Elbasan-Gjinar, Gramsh-Moglicë, të cilat u pastruan nga firmat kontraktuese. Në furnizimin me energji elektrike pati disa ndërprerje për shkak të defekteve në Nj.A Rrajcë bashkia Prrenjas, Nj.A Sterbleve bashkia Librazhd, Nj.A Mollas bashkia Cerrik, Nj.A Shushicë bashkia Elbasan. Në terren janë punonjësit e OSHE-së duke punuar për riparimin e defekteve. Deri më tani nuk ka probleme me prurjet e lumenjve dhe përrenjve në qarkun e Elbasanit.

Situatë jo e qëndrueshme paraqitet në qarkun e Durrësit për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Për shkak të prurjeve të shumta, Ishmi doli nga shtrati në Murqinë të Krujës duke shkaktuar përmbytjen e shumë tokave bujqësore.

Emergjencat civile bëjnë me dije se edhe lumi Erzen në pjesën e fshatit Hardhishtë, Njësia Administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak ka dalë nga shtrati, si pasojë e prurjeve me intensitet gjatë natës, por nuk ka rrezik për banesat.

Niveli në Hidrovorin e Porto Romanos është -80 cm, ndërsa në Hidrovin e Hamallajt -1 m.

Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme normalisht, edhe pse ka prani të lartë të ujit. Po ashtu, në Shkodër janë 400 ha tokë nën ujë.

Sipas sinoptikanëve, edhe sot vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme, me masa ajrore të lagështa dhe origjinë jugperëndimore. Moti parashikohet i vranët e deri në mesditë, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet mesatar e deri të lartë. Pas mesdite, reshjet e shiut mbeten me intensitet të ulët e mesatar në të gjithë territorin e vendit. Lokalisht do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike. Ndërkohë, temperaturat luhaten nga 7-16 gradë celcius.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE