Policia e Kosovës po kryen kontrolle në tre komuna të veriut!

vovalbania September 29, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Policia e Kosovës po kryen kontrolle në tre komuna të veriut!

Policia e Kosovës njofton se është duke kryer kontrolle në pesë vende të tre komunave në veri, pas sulmit të armatosur ndaj forcave të rendit më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit ku u vra efektivi Afrim Bunjaku.  Si pasojë e përplasjeve të policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë të veriut të banuar me shumicë serbe, humbën jetën edhe tre sulmues.

Për Radion Evropa e Lirë, REL zv.komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani konfirmoi se kontrollet nisën pas orës 06:00 të mëngjesit e lidhen me zhvillimet në Banjskë.

Sipas tij, nuk ka persona të arrestuar, por kontrollet po kryhen në disa vende specifike. Referuar informacioneve të REL-it në terren, në Mitrovicën e Veriut, efektivët janë në afërsi të spitalit të qytetit.

Ata ishin edhe te restoranti Gray, që besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiçit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Sipas burimeve zyrtare, nga ai objekt u larguan rreth orës 08:15 të ditës së sotme.

Policia ka thënë se kontrollet është duke i kryer në koordinim me misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga autoritetet e Kosovës, Radoiçiç akuzohet se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj policisë në Banjskë, të dielën e kaluar.  Ditë më parë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla publikoi një pamje me dron duke thënë se njëri prej burrave që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë ka qenë vetë Radoiçiç.

Një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, e cila dënon sulmin ndaj forcave të rendit në Banjskë dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë e rolin e saj në këtë sulm.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç u shpreh se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të mbushur sipas tij nga “terrori” i Albin Kurtit, ndërsa e mohoi përfshirjen e shtetit që drejton në sulmin e rëndë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49066 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE