Alarmet për bombë rezultuan false, rikthehen fluturimet në Aeroportin e Shkupit!
Rihapet Aeroporti i Shkupit, rikthehen fluturimet. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se kërcënimet e sotme për sulme me bomba, të adresuara përmes postës elektronike, rezultuan të rreme, ndaj dhe u rikthye orari i fluturimeve. Në orët e mëngjesit nuk pati fluturime nga Shkupi, ndërsa ato me destinacion kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut devijuan udhëtimin.
Në vendin fqinj, kërcënime me bomba ka pasur edhe në shumë objekte të tjera, të tilla si hotele, qendra tregtare, 15 shkolla fillore e të mesme, kopshte fëmijësh e qendra sportive të ndryshme. Si pasojë e këtyre kërcënimeve u evakuua edhe hoteli “Aleksandar Palace”, ku kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski ndodhej me të tjerë zyrtarë të qeverisë që drejton. Po punohet për zbardhjen e rasteve të denoncuara. Dihet vetëm se kërcënimet vijnë nga jashtë.
Menjëherë pas denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masa për evakuimin e sigurt të objekteve dhe po kryhen kontrolle nga Antiterrori. Po punohet për zbardhjen e rasteve të denoncuara.
Po ashtu, dy ditë më parë, autoritetet në Maqedoninë e Veriut u përballën me alarme për vendosje të bombave në 49 objekte arsimore e disa ndërtesa institucionesh shtetërore. Alamet u dhanë në qytete të ndryshme, si në Kumanovë, Kavadar, Shtip e Manastir. Kryeministri Dimitar Kovaçevski informoi se institucionet e sigurisë po punojnë për zbardhjen e këtyre kërcënimeve që kanë nisur prej rreth dy muajsh, që në datën 26 tetor.
Shefi i qeverisë së Shkupit bëri të ditur se “dyshimet janë për një luftë hibride, që të shkaktohen frikë e panik në popullatë e kjo të çojë në destabilizimin e vendit”. Ai shtoi se “institucionet janë në kontakt me NATO-n e të tjerë faktorë ndërkombëtarë për të ofruar ndihmë në zbardhjen e kërcënimeve”. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kërcënimet në postat elektronike vijnë nga jashtë Maqedonisë së Veriut, por ky dikaster shmangu dhënien e detajeve të tjera, pasi hetimet vazhdojnë e mund të cënohen po u zbuluan më shumë hollësi.