Kreu i SPAK-ut, gjatë prezantimit të Edvin Kondilit në sallë hyri ambasadorja Kim!
Pas Adnan Xholit dhe Altin Dumanit, Edvin Kondili është i treti dhe i fundit që ka dalë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, para votimit të shumëpritur për të mësuar emrin e drejtuesit të ri të SPAK-ut deri në vitin 2025. Mbi 40 minuta më parë, teksa fliste Kondili, në sallë hyri ambasadorja amerikane Yuri Kim për të ndjekur nga afër procesin.
Kandidati për kreun e SPAK-ut, Kondili tha se është i lumtur që para vitit 2019 nuk ka mbajtur poste drejtuese dhe sqaroi se përse ajo që ia veçojnë si pikë të dobët, ai e konsideron “të fortë”.
Të mos isha drejtues para 2019-ës, edhe pse mund të jetë konsideruar si pikë e dobët, unë e konsideroj si pikë të fortë duke pasur parasysh mënyrën e përgjithshme si caktoheshin dhe promovoheshin shumica e drejtuesve në atë sistem centralizuar, se ishte preference e Prokurorit të Përgjithshëm dhe nuk dua të flas për asnjë koleg. Më tej, pas vitit 2019 e në vazhdim, me krijimin e SPAK-ut, jam zgjedhur. Si objektiv, unë kam vazhdimin e unitetit, punën në skuadër dhe harmoninë prokuror, hetues e OPGJ. Eshtë e rëndësishme që të ndjejnë klimën e të jenë të bashkuar më njëri-tjetrin. Nuk ka preferenca apo të privilegjuar, ne duhet të funksionojmë si skuadër që do i bëjmë ballë presioneve apo kërcënimeve.
Me votën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, sot zgjidhet kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, SPAK. Por, votimi është paraprirë nga prezantimi i platformave nga tre kandidatët në garë.
Pasuesi i Arben Krajës për postin me mandat 3-vjeçar do të jetë një emër mes Adnan Xholit, Altin Dumanit dhe Edvin Kondilit. Duke komentuar këtë zhvillim, kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se “ajo që po ndodh në SPAK është vetëm një tragjikomedi”. Sipas tij, “Rama po e asgjëson si organ dhe kërkon Kondilin”.