Ikën ‘ALEAT’, prodhimi i pasaportave dhe kartave biometrike i kalon shtetit

vovalbania January 15, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ikën ‘ALEAT’, prodhimi i pasaportave dhe kartave biometrike i kalon shtetit

“Aleat”, kompania koncensionare që ofron shërbimin e prodhimit të dokumenteve biometrike, pasaportë dhe kartë identiteti, prej 16 vitesh, nuk do të ketë rinovim kontrate me qeverinë shqiptare. Në muajin korrik 2023 përmbyllet kontrata 10 vjeçare e firmosur në maj të vitit 2013, teksa në vijim pritet krijimi i një kompanie shtetërore për prodhimin e këtyre dokumenteve.

Autoritetet shqiptare kanë parë të arsyeshme të kalojnë në duar të shtetit prodhimin, teksa diskutimet fillestare për zgjatje të kontratës me “Aleat” apo zëvendësimin e saj me një tjetër kompani janë përmbyllur. Ky është koncensioni i dytë brenda pak kohësh që kalon nga koncensionari në duar të shtetit, pas atij të kontrollit teknik të automjeteve.

I gjithë kalimi nga “Aleat” në një kompani që do të krijohet rishtas për vijimin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit do të bëhet brenda vitit 2023, dhe nisja e punës pritet të jetë gushti ose shtatori i këtij viti. “Aleat” ka detyrimin të vijoj prodhimin e dokumenteve edhe për një kohë të caktuar pas përfundimit të kontratës, derisa kompania shtetërore të jetë gati për të nisur punën.

Të gjitha asetet që janë krijuar nga kompania koncensionare, si burimet njerëzore, vendet e aplikimeve dhe pajisjet e investuara ndër vite, pritet t’i kalojnë kompanisë shtetërore, kjo e parashikuar që në kontratë dhe këtu nuk përfshihet problematikat dhe amortizimi i këtyre pajisjeve.

Aktualisht, shqiptarët, për të prodhuar një pasaportë personale duhet të paguajnë 7,500 për një afat 15 ditor, ndërsa në një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18,000 mijë lekë, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1,500 lekë.

Me kalimin e prodhimit të këtyre dokumenteve në duar të shtetit është hedhur ideja e uljes së çmimeve, por akoma nuk ka një vendimmarrje. Duke qenë se pasaporta është dokument jo i detyrueshëm dhe mund të bëhet me dëshirë, nuk priten shumë surpriza në ulje çmimi, por një gjë e tillë mund të bëhet me kartën e identitetit, e cila është e detyrueshme për personat mbi 16 vjeç.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49216 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE