Hetimet ndaj ish-Presidentit Trump, prokurorja në Xhorxhia rrit pritshmëritë!

vovalbania January 30, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Hetimet ndaj ish-Presidentit Trump, prokurorja në Xhorxhia rrit pritshmëritë!

Ish-Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij janë paralajmëruar nga prokurorja në shtetin Xhorxhia, e cila sinjalizoi se ka mundësi të ngrejë së shpejti akuza penale, në kuadrin e hetimeve për përpjekjet për të përmbysur rezultatin zgjedhor.

Duke u përpjekur të ndalojë publikimin e raportit të jurisë së madhe të posaçme, prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis, argumentoi në gjykatë javën e kaluar se ishte “shumë e afërt” koha për të marrë vendime për këtë çështje dhe se publikimi i raportit do të vinte në rrezik të drejtat e “të akuzuarve të ardhshëm”.

Megjithëse prokurorja e zgjedhur nga radhët e demokratëve nuk përmendi ish-Presidentin Trump me emër, komentet e saj shënojnë herën e parë që, në disa hetime paralele të lidhura me ish-presidentin republikan, prokuroria të ketë sinjalizuar se do të ngrihen akuza. Komentet e saj rritën pritshmëritë se hetimi i përqendruar pjesërisht tek telefonata e ish-Presidentit Trump me sekretarin e shtetit të Xhorxhias, mund të përfundojë përpara hetimeve paralele federale.

“Pres të shohim ngritje akuzash në Qarkun Fulton, përpara se të shohim ngritje akuzash federale”, tha Clark Cunningham, profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias.

Krahas hetimeve në Xhorxhia, një prokuror i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë po heton ish-Presidentin Trump për rolin e luajtur në bashkëpunim me aleatët për të përmbysur humbjen në zgjedhjet presidenciale 2020, si dhe për shkeljet që mendohet se ka bërë me dokumentat e klasifikuara.

U duk se rreziku më i madh ligjor për ish-Presidentin Trump do të vinte nga hetimi për volumet e materialeve të klasifikuara të gjetura në pronën e tij në Florida, dhe ky rrezik vazhdon. Por, kjo çështje duket se është komplikuar, të paktën politikisht, nga zbulimi rishtazi i materialeve të klasifikuara në shtëpinë në Dellauer dhe në një zyrë në Uashington të Presidentit Biden. Për këtë, Departamenti i Drejtësisë caktoi një tjetër prokuror të posaçëm për të hetuar.

Zonja Willis filloi hetimin e saj pak pas publikimit të regjistrimit të një telefonate të 2 janarit 2021 mes ish-Presidentit Trump dhe Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger. Në atë bisedë, ish-presidenti sugjeroi se zoti Raffensperger, një republikan, mund “të gjente” votat e nevojshme për të përmbysur humbjen e ngushtë në zgjedhje të zotit Trump në këtë shtet, përballë demokratit Joe Biden.

“Dua thjesht të gjej 11,780 vota, që është një më shumë nga ç’kemi”, tha ish-Presidenti Trump gjatë telefonatës.

Që nga ajo kohë, objektivi i hetimit është zgjeruar më shumë, duke përfshirë ndër të tjera: çështjen e një liste të rreme me elektorë republikanë, telefonatat e ish-Presidentit Trump dhe personave të tjerë me zyrtarët e Xhorxhias në javët pas zgjedhjeve të 2020-ës, si dhe akuzat e pabaza për për manipulim të gjerë zgjedhor të bëra ndaj ligjvënësve të këtij shteti.

Në një intervistë, ish-Presidenti Trump këmbënguli se “nuk bëri absolutisht asnjë gabim” dhe se telefonata e tij me zotin Raffensperger kishte qenë “e përkryer”. Ai tha se kishte shumë besim se nuk do të ngriheshin akuza ndaj tij.

“Ajo duhet të ndalë krimet e dhunshme, dhe kjo është detyra e saj”, tha ish-Presidenti Trump për prokuroren Willis. “Dhe jo t’u qepet njerëzve për arsye politike, (njerëzve) që i bënë gjërat absolutisht në mënyrë të përkryer”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49675 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE