Vuçiç: Pa Asociacionin e Komunave Serbe nuk shkoj në Bruksel!

vovalbania February 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vuçiç: Pa Asociacionin e Komunave Serbe nuk shkoj në Bruksel!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se në Bruksel do të shkojë vetëm si turist nëse nuk krijohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë. I pyetur mbi deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, i cili tha se do të ftojë liderët e Kosovës e Serbisë në Bruksel për të shtyrë planin europian, Vuçiç vuri në dukje se do të pranojë të diskutojë vetëm nëse Prishtina pranon marrëveshjen.

E dëgjova deklaratën, mund të shtyjnë atë që duan, por ata duhet të thonë se çfarë kuptimi ka?! Nuk kam shmangur kurrë të flas për asgjë, për asnjë çështje. Më telefononi të vij si turist dhe nuk më intereson, kam qenë 200 herë në Bruksel. Nëse më telefononi, më informoni se e kanë dorëzuar ZSO-në, kur ta dorëzojnë do të vij të diskutoj gjithçka tjetër.

Borrell tha se së shpejti pret të organizojë një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit europian, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. Komentet i bëri para fillimit të takimit të udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Europian, të cilëve tha se do t’u raportojë për procesin.

Propozimi është në tryezë. I thërras të dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të vijnë në Bruksel, së shpejti, për disa javë, që përfundimisht ta çojmë përpara këtë propozim. Në fund të takimit dy-ditor, udhëheqësit e vendeve të BE-së pritet të miratojnë përfundime rreth procesit të bisedimeve Kosovë- Serbi e propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me liderët e Kosovës dhe Serbisë për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje mbi atë propozim, që nuk përfshin njohjen reciproke, por përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.

Diplomatët thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja. Kosova dhe Serbia thanë se e pranojnë propozimin europian.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49343 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE