Tjetër mrekulli/Pas 101 orësh, nënë e bir nxirren të gjallë nga rrënojat e tërmetit në Diyarbakir!

vovalbania February 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tjetër mrekulli/Pas 101 orësh, nënë e bir nxirren të gjallë nga rrënojat e tërmetit në Diyarbakir!

Një tjetër histori nga ato që po cilësohen mrekulli vjen nga Turqia. Në qytetin jugor Diyarbakir, 101 orë pas tërmetit shkatërrues, të karakterizuar si katastrofa e shekullit, një nënë dhe djali i saj u shpëtuan nga rrënojat. Ekipet e shpëtimit në lagjen Baglar të Diyarbakirit, nxorën nga gërmadhat 32-vjeçaren Sebahat Varli dhe 10-vjeçarin Serhat. Që të dy u dërguan në spital.

Janë afërisht 22 mijë viktimat e tërmetit 7.8 Rihter që të hënën e kësaj jave gjunjëzoi pjesën mes Turqisë e Sirisë, duke mbjellë shkatërrim. Më shumë se 18 mijë persona konfirmohen të kenë humbur jetën në Turqi e mbi 3 mijë në Siri. Më tepër se 80 mijë vetë llogariten të lënduarit.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje, ndërsa mbrojtjes civile turke i janë bashkuar specialistë nga 56 vende, mes tyre nga Shqipëria.

Më herët u mësua lajmi i nxjerrjes nga rrënojat i një 17-vjeçari, i cili nën gërmadhat e qytetit Gaziantep të Turqisë qëndroi për më shumë se 94 orë, madje u detyrua të konsumonte urinën e vet për të mbijetuar.

I veçantë edhe rasti i 10-vjeçares e cila pas 90 orësh, u nxor e gjallë nga gërmadhat e një pallati të rrëzuar në Hatay të Turqisë. Mediat turke bënë të ditur se për ta shpëtuar, ekipet gërmuan një galeri dhe me lejen e të afërmve u vendos t’i pritet njëri krah ndërsa operacioni u krye mes rrënojave. Nga tërmeti i magnitudës 7.8 i shkallës Rihter, 10-vjeçarja humbi prindërit dhe tre vëllezër.

Ndërkaq, pas katastrofës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftojnë ndërprerjen e përkohshme të disa sanksioneve ekonomike ndaj qeverisë siriane. Nga Siria, informacionet vijnë jo të plota, çka kuptohet për një territor që për nga kontrolli ndahet mes forcave të presidentit Bashar al Assad e rebelëve.

Gjithashtu, po merr një formë më të strukturuar ndihma për të mbijetuarit. Për më shumë u zhbllokuan edhe furnizimet e para drejt Sirisë. Ndihmat humanitare të Kombeve të Bashkuara u lejuan të kalonin në një pikë kufitare që çon për në zonat e kontrolluara nga rebelët sirianë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49393 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE