Takim me Vuçiçin në Mynih, Blinken: Bisedime konstruktive!

vovalbania February 18, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Takim me Vuçiçin në Mynih, Blinken: Bisedime konstruktive!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vlerëson si “produktive” bisedimet që pati me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç gjatë pjesëmarrjes në Konferencën për Sigurinë në Mynih të Gjermanisë. Në një mesazh në Twitter shkruan:

Biseduam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën dhe për atë se sa e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën. Ne e ndajmë dëshirën e Serbisë për një të ardhme me Bashkimin Europian.

Had a productive conversation with Serbian President @AVucic today at the @MunSecConf. We discussed the importance of normalized relations with Kosovo and I conveyed our appreciation for Serbia’s continued support for Ukraine. We share Serbia’s desire for a future with the EU. pic.twitter.com/9isoAics6N

— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) February 17, 2023

Në profilin e tij në Instagram, Vuçiç shkroi se në takim me Blinken-in, përveçse u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, u konfirmua edhe “përmirësimi e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë nën presionin e komunitetit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, nga frika se Rusia mund t’i shfrytëzojë tensionet mes tyre për të nxitur destabilizim në Ballkan. Kjo në një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Aktualisht, palët kanë në tryezë një propozim të Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin mbështetje.

Në cilësinë e përfaqësuesve të dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, pritet të takohen në Bruksel më 27 shkurt. Për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar, ata janë thirrur nga Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Pas takimit të organizuar nga Josep Borrell, i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të ketë takime të veçanta me ta. Nga nëntori i vitit të kaluar, shefi i qeverisë së Prishtinës e kreu i shtetit serb, nuk kanë zhvilluar bisedime në kuadër të dialogut të Brukselit.

Vitin e kaluar, Kosovës e Serbisë iu dorëzua propozimi europian apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi franko-gjerman. Palët konfirmuan se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik. Mësohet se në mënyrë specifike, drafti nuk përmend njohjen, megjithatë flet për të drejta të barabarta për Kosovën e Serbinë, respektimin e integritetit territorial, paprekshmërinë e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore e po ashtu flet për një rregullim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49679 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE