Një familje e dashuruar me futbollin, komentatori flet për ëndrrën e bërë realitet! Sekretet e “zanatit”

vovalbania June 21, 2023 0 koment 6 Mund të lexoni në minuta.
Një familje e dashuruar me futbollin, komentatori flet për ëndrrën e bërë realitet! Sekretet e “zanatit”

E kemi përfytyruar gjithmonë si lojtari i 23-të në fushën e blertë të ndeshjeve të futbollit. Fjala është për komentatorët, zërat që na shoqërojnë për 90 minuta kur ndjekim një ndeshje duke i dhënë emocionin e duhur çdo lëvizjeje në fushë.

Kështu e përshkruan pasionin e tij Gentjan Alinani, i cili e ushtron prej vitesh tashmë këtë profesion. Akoma më të veçantë historinë e tij, e bën fakti që ndan të njëjtin profesion me motrën e tij Klevisën, e cila po ashtu është gazetare sportive.

Ai shprehet në një intervistë për Vip Magazine se ëndrra e tij ka nisur fillimisht me gazetarinë sportive duke qenë pjesë e Panorama Sport për 6 vite me radhë, duke realizuar më pas ëndrrën për të komentuar ndeshjet e futbollit.

Në fund të çdo dite më te, tregon Gentjani i duhet të jetë në formën e duhur për të qenë i barabartë me golin në fushën e blertë. Por ajo që e motivon ditë pas janë komentet e ndjekësve dhe takimet e shkurtra me futbollistët para ndeshjeve.

Së fundmi një hapësirë e rëndësishme për të qenë më afër publikut e cili e njeh atë edhe në një dimension të ri, është media sociale Tik Tok ku jo pak herë është bërë viral me videot nga komentet e tij të ndeshjeve të futbollit.

Intervista e plotë në Vip Magazine

Prej disa kohësh i jeni futur komentimit të ndeshjeve, si ju duket si eksperiencë?

Shumë e bukur. Ka qenë një nga dëshirat dhe ëndrrat e mia, për të cilën mendoja se nuk do të ndodhte, ose më saktë do të ndodhte shumë më vonë. Por ja që në ëndrra duhet besuar. Diçka fantastike që t’i japësh emocion me zërin tënd një ndeshjeje futbolli. Por më shumë se kjo është vlerësimi që kam marrë nga ata që më ndjekin.

Pra mund të themi që të qenit komentator do të thotë që e konsideroni veten të suksesshëm apo se keni realizuar ende ëndrrën?

Le të themi që ka qenë një prej tyre. Ëndrrat i kam kultivuar hap pas hapi dhe në kohë. Si fillim ëndërroja thjesht të isha gazetar sporti dhe rrugëtimin e nisa në sportin shqiptar. Në një moshë të re isha edhe kryeredaktor i gazetës. Përpara se të nisja aty realisht doja që një ditë të isha pjesë e Panorama Sport dhe punova jo pak, por 6 vite aty. Por një ëndërr vazhdoj ta kem ende… Më mirë ta them kur të realizohet.

Çfarë vështirësish ka komentimi i ndeshjeve dhe cila është gjëja qe ju motivon për ta bërë këte gjë?

Komenti është një nga gjërat më të vështira në gazetarinë sportive, nëse mund të quhet pjesë e saj. Duhet vëmendje, duhet përqendrim, duhet ritëm, duhet zë për 2 orë pa ndalur, duhet informacion. Duhet të jesh i barabartë me të gjithë në momentin e golit. Duhet t’i japësh emocion një ndeshjeje, ndërkohë që ndoshta përtej punës ke diçka që të shqetëson dhe nuk je në ditën më të mirë. Duhet të fiksosh emrat e lojtarëve. Ka pafund vështirësi. Por motivohesh nga fjalët e ndjekësve dhe respekti që ata kanë. Motivohesh kur përpara se të shkosh në stadium të flasin të gjithë dhe përshëndetesh me tifozët. Motivohesh kur një lojtar të thotë: Shpresoj të shënoj sot dhe ta komentosh ti një gol timin…

Na tregoni disa episode vështirësie gjatë komentit…

Unë jam i sinqertë dhe njerëzit më vlerësojnë që pranoj edhe gabimet. Në profilin tim në Tik Tok ndaj disa prej këtyre momenteve. Një ndeshje e vështirë ka qenë Partizani-Laçi është luajtur në ditën më të ftohtë të vitit dhe komentonim jashtë. Isha bashkë me Bledi Shkëmbin. Aq ftohtë sa nuk më bënin duart të shkruaja formacionin dhe mendova se do ta mbaja mend. Por nuk më dilnin llogaritë dhe një lojtar të Laçit harrova ta përmendja deri nga minuta e 25-të. Korabi-Partizani një tjetër sfidë në kushte të vështira atmosferike. Kabina e transmetimit bëhej me avull prej të ftohtit dhe nuk dalloja dot lojtarët. Duhet të qëndroja në këmbë për t’i parë nga një dritare e vogël. Ka pafund momente. Gabime të emrave të lojtarëve që në koment nuk ke kohë t’i korrigjosh. Thjesht i thua vetes: Iku, vazhdo komento sepse nuk kthehet më.

Harruat tërmetin që ra dhe ju ishit në koment.

Po. E vërtetë. Tërmeti është një nga frikërat e mia të mëdha dhe isha duke komentuar ndeshjen Roma-Fiorentina. Sapo përfundoi ndjeva lëkundjet sepse zyrat e Oversport janë në katin e 6. Por e mbajta veten. Për fat ishte në fundin e ndeshjes, sepse nuk di si do t’ia kisha bërë.

Cili është emri më i vështirë që keni hasur në një ndeshje futbolli?

Një komentator përgatitet për ndeshjet dhe emrat nuk i ka të panjohur në momentin që nis të komentojë ndeshjen. Sigurisht që ka emra të vështirë.

E keni nisur nga shtypi i shkruar, online, gazetar tv, komentator. Ku e keni ndjerë veten më mirë?

Dashuria e parë nuk harrohet… (qesh). E them gjithmonë këtë me batutë. Në gazetë ajo që shkruan ngelet, edhe pse gjithmonë e më shumë po humbet disi terren me mediat e tjera. Kështu që po zgjedh gazetën si median e parë që më hapi dyert…

Sa mbështetëse ka qene familja juaj qe te bëheshit gazetar sportiv dhe më pas komentator?

Në familjen time televizori rri vetëm në kanalet e sportit. Familja thjesht ka aprovuar çdo zgjedhjen time. Madje diskutojmë shumë me njëri-tjetrin. Im atë, edhe pse emrat e lojtarëve nuk i thotë mirë, kupton shumë.

Si rrallë herë, jo vetëm ti, por edhe motra juaj, Klevisa është gazetare sportive, madje drejton një emision tek e njëjta platforme ku punon dhe ti. Çfarë ndjesie ju jep kjo? Sidomos kur disa raste keni qenë ju i ftuari i asaj?

Bëjmë realitet ëndrrat e fëmijërisë kur bënim prova përpara pasqyrës. Diçka shumë e bukur dhe speciale, por edhe e vështirë njëkohësisht. Të qenit në të njëjtin profesion dhe në të njëjtën media bën që diskutimet e punës t’i vazhdojmë edhe në shtëpi. Ndonjëherë themi: U lodhëm vetëm me futboll, shohim ndonjë film. Kemi qenë mbështetje e madhe për njëri-tjetrin. Ne u rritëm larg njëri-tjetrit për shkak të shkollimit dhe tani rikuperojmë edhe kohën e humbur të fëmijërisë.

Nëse ti do ndodheshe në të njëjtën situatë si babai jot, do bëheshe pengesë për fëmijët që të dy të zgjidhnin të njëjtin profesion, siç bëre ti me Klevisën?

Nuk besoj se do t’i pengoja në zgjedhjet që do të bënin. Edhe pse do të ishim shumë gazetarë sportivë pastaj nga një familje. Dikush duhet të bëjë diçka tjetër sepse mjaftojnë dy.

A merrni kritika apo sugjerime nga njeriu i zemrës dhe si reagon kur ndodh një gjë e tillë?

Nëse ka një moment që shkëputem nga futbolli është pikërisht njeriu i zemrës. Nuk ka shumë interes, por sigurisht që më këshillon dhe më orienton që të bëj gjërat e duhura në profesion. Nuk është e lehtë të jesh gazetar sportiv në një kohë kur të gjithë shkojnë në plazh të shtunën dhe të dielën, t’i duhet të jesh në punë. Për këtë duhet edhe mirëkuptimi i njeriut të zemrës.

Gjate komentimit te ndeshjeve, ju futeni live ne TikTok, ka ndonjë arsye profesionale apo thjeshte meqenëse është trend?

Unë njihesha në rrethin sportiv si gazetar, por nga Tik Tok më njohën të tjerët. Kuptova që kishte shumë interes nga ata që më ndiqnin për të zbuluar sekretet e komentit. Shihja tek ta veten e shumë viteve më parë, kur isha kurioz rreth komentit. Për këtë arsye ndaj momentet edhe gjatë ndeshjeve. Ata më motivojnë me komentet e tyre dhe unë u jap mundësinë që të shohin çfarë ka përtej televizorit ku thjesht po transmetohet ndeshja.

Çfarë planesh keni për të ardhmen?

Të vazhdoj të përmirësohem në këtë rrugë që kam nisur.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49627 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE