Italia e ndarë mes zjarreve e stuhive me dëme të shumta!

vovalbania July 25, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Italia e ndarë mes zjarreve e stuhive me dëme të shumta!

Alarm maksimal në Palermo të Italisë, ku është ngritur qendra rajonale e operacioneve emergjente për shkak të zjarreve që ende vazhdojnë të djegin kodrat. Më së shumti, përhapja e flakëve është shqetësuese në malin Capo Gallo, si dhe në pjesën me pamje nga vendpushimi bregdetar i Mondello-s e po ashtu në kodrën Bellolampo.  Në rrjetet sociale, aeroporti i kryeqendrës siçiliane njoftoi se do të ishte i mbyllur deri në orën 11:00. Fluturimet e planifikuara do të jenë subjekt i anulimeve dhe vonesave. Zjarrfikësit janë të angazhuar në operacionet e shuarjes.  Rreth 1 mijë e 500 njerëz u evakuuan.

Flakët zbritën deri në autostradën A29 Palermo-Mazara dhe Villagrazia Carini e Cinisi u mbyllën. Dje, Mbrojtja Civile zbuloi 43 vatra në të gjithë Siçilinë. Në ishull janë regjistruar temperatura rekord.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni:

Ne e dinim që sot do të ishte dita më e ngarkuar. Kemi një situatë në të cilën era shton temperatura shumë të larta dhe kjo e bën të pamundur përdorimin e avionëve për ndërhyrje nga ajri, me qëllim shuarjen e zjarreve.

Por, jo e gjithë Italia është nën pushtetin e flakëve. Moti i keq po godet rajonin e Lombardisë. Një viktimë në Bresciano dhe një i plagosur. Në orët e para të mëngjesit, një tjetër stuhi jashtëzakonisht e fortë, e shoqëruar me rrufe të vazhdueshme dhe erëra me shpejtësi të lartë, goditi Milanon e një pjesë të madhe të Brianzës.

Gjatë natës e deri në orët e para të mëngjesit u kryen me qindra thirrje telefonike për të kërkuar ndihmën e zjarrfikëses së Milanos pas stuhisë më të fundit, të shoqëruar me erëra të forta e breshër. Zjarrfikësit morën raportime se çatitë u shkulën, shumë pemë u rrëzuan e në një kohë të shkurtër ra një sasi rekord shiu e breshëri. Dëmtime dhe në linjat e tramvajit.  Në Monza, një familje në një makinë u godit nga një pemë, një i lënduar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49643 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE