Turizmi, 3.4 milion të huaj hynë në Shqipëri në 6 muaj, rritje 33%!

vovalbania July 26, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Turizmi, 3.4 milion të huaj hynë në Shqipëri në 6 muaj, rritje 33%!

Turizmi vijoi të mbajë trendin rritës edhe në qershor kur sipas të dhënave të Institutit të Statistikave 1 milion të huaj hynë në territorin e vendit. Në total si 6 mujor, hyrjet e të huajve kanë regjistruar shifrën rreth 3.4 milion, me një rritje me 33% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Qershor 2023, janë 1.581.731. Ky tregues rezulton me një rritje 16,3%, krahasuar me Qershor 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2023, janë 1.490.810, duke shënuar një rritje me 18,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Qershor 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 574.698. Ky numër është rritur me 18,9%, krahasuar me Qershor 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.007.033. Ky numër është rritur me 15,0%, krahasuar me Qershor 2022.

Gjatë gjashtëmujorit të 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932. Ky numër është rritur me 33,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Operatorët turistikë pohojnë se ky është viti më i mirë turistik i Shqipërisë duke lënë pas vitin e kaluar që ishte një tjetër rekord për numrin e vizitorëve. Pjesa më e madhe e turistëve i takojnë Europës dhe përpos efektit të promovimit të Shqipërisë si destinacion, vendin tonë e përzgjedhin dhe me idenë e çmimeve më ekonomike.

Turizmi i organizuar kryesisht në Durrës dominohet nga polakët, çekët e nordikët. Për herë të parë, turizëm të organizuar në këtë rajon ka edhe nga Spanja. Ndërkohë, përgjatë bregdetit interes në rritje kanë pasur turistët italianë, spanjollë, anglezë me një tendencë të shifrave në rritje.

Sipas INSTAT-it, në qershor 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është i Europës me 954.389 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore e Paqësori, përkatësisht me 30.082 e 8.971 shtetas.

Në Qershor 2023, krahasuar me Qershor 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur:

· për qëllime personale me 14,6%;

· për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 12,8%;

· për biznes dhe qëllime profesionale me 59,0% (tab.3)

 Daljet e shtetasve

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2023 janë 576.383. Krahasuar me Qershor 2022, ky tregues është rritur me 15,5%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2023, janë 914.427. Krahasuar me Qershor 2022, ky tregues është rritur me 19,7%.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë 2023 është 3.024.102, duke u rritur me 20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51035 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE