Uashingtoni rrit sigurinë para paraqitjes së Trump-it në gjykatë!

vovalbania August 03, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Uashingtoni rrit sigurinë para paraqitjes së Trump-it në gjykatë!

Zyrtarisht, sot ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të akuzohet edhe për komplot që të përmbysej rezultati zgjedhor i presidencialeve të vitit 2020, të humbura prej tij përballë rivalit demokrat, Joe Biden.

Para nisjes së seancës dëgjimore, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë sulmoi pasardhësin e tha se kjo është një dëshmi e “korrupsionit, skandalit e gjithashtu dështimit” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën presidencën e Joe Bidenit.

Gjithçka ndodh në kohën kur Trump po bën fushatë për të fituar nominimin e republikanëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në vitin 2024. Ndërkaq, bie në sy fakti që siguria është rritur në Uashington, në prag të nisjes së seancës.

Ndalesa metalike janë vendosur jashtë ndërtesës së gjykatës, ku edhe zyrtarisht do të lexohen akuzat kundër ish-presidentit Donald Trump.

Të tjera struktura mbrojtëse janë vënë edhe rreth zyrave të Kongresit Amerikan, aty ku mbështetësit e republikanit kryen trazira në janar të vitit 2021, të zemëruar me rezultatin zgjedhor. Madje, pati edhe viktima si rezultat i dhunës tronditëse.

Po në kuadër të masave të përforcuara, Shërbimi Sekret i cili ofron mbrojtje për presidentët e ish-presidentët amerikanë, bëri një njoftim për qytetarët duke i paralajmëruar se mund të ketë bllokada në trafik, në qendër të Uashingtonit.

Eshtë raportuar të jetë rritur edhe mbrojtja për gjyqtarët e përfshirë në këtë rast. 77-vjeçari Trump pritet të dalë para gjykatës, por nuk ka dyshime se do të deklarohet i pafajshëm.

Ndonëse e ka mundësinë e paraqitjes në gjyq edhe përmes video-lidhjes, ai pritet të jetë i pranishëm në seancë. Në Uashington, ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë ka qenë vetëm një herë, nga koha e largimit nga Shtëpia e Bardhë. Kurioziteti është i madh e burime nga terreni bëjnë të ditur se sa vijnë e shtohen radhët e njerëzve që po grumbullohen për ta parë nga afër teksa hyn në gjykatë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50924 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE