Durrës, sekuestrohen rreth 122 mijë euro të fshehura në autobusin që vinte nga Italia/Një në pranga!

vovalbania August 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Durrës, sekuestrohen rreth 122 mijë euro të fshehura në autobusin që vinte nga Italia/Një në pranga!

Tentoi futjen e rreth 122 mijë eurove të padeklaruara në Portin e Durrësit, pranga pronarit të një autobusi të linjës Durrës-Bari-Durrës. Po ashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për drejtuesin e mjetit, 34-vjeç. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fluksi”, u sekuestrua shuma e parave, e fshehur në tavanin e autobusit. Pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mjeti u kalua në vijën e dytë për kontroll më të detajuar.

Njoftimi i plotë:

Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, krahas angazhimit maksimal për të përballuar fluksin e turistëve, vizitorëve dhe shtetasve shqiptarë që vijnë në Shqipëri për qëllime turistike, kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fluksi”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuara në këtë pkk, për parandalimin e futjes së shumave të konsiderueshme të parave, pa i deklaruar, shuma të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, në pronësi të shtetasit L.N. dhe me drejtues shtetasin E.S.

Gjatë kontrollit të ushtruar në tavanin e këtij autobusi, të kryer duke përdorur metoda bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 121 680 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk, konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi L.N., 44 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E.S., 34 vjeç, të dy banues në Durrës.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50298 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE