Inflacioni zbret në nivelin më të ulët nga marsi 2022, por ushqimet mbeten të shtrenjta!

vovalbania August 07, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Inflacioni zbret në nivelin më të ulët nga marsi 2022, por ushqimet mbeten të shtrenjta!

Inflacioni shënoi rënie të lehtë në korrik të këtij viti, duke zbritur në 4.2%, niveli më i ulët nga marsi 2022, kur filloi shtrenjtimi i ndjeshëm si pasojë e luftës ruse në Ukrainë.  Inflacioni kulmoi tetorin e kaluar në 8.3%, për të vijuar në rënie graduale, kryesisht i ndikuar nga rënia e çmimeve të karburanteve.

Pavarësisht ngadalësimit, ushqimet që zënë peshën kryesore të buxhetit të familjeve shqiptare kanë vijuar të shtrenjtohen, duke ndikuar pjesën më të madhe të inflacionit. Ato janë 9% më të shtrenjta se korriku i kaluar, të ndikuara nga zarzavatet e patatet që kushtojnë 21.6% më shumë, si dhe qumështi e vezët, me 13.6%. Fluksi i lartë i turistëve duket se ka ndikuar edhe në shtrenjtimin e argëtimit, me çmimet 9.5% më të larta.

INSTAT-i raportoi se në korrik 2023, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 4,2%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 7,5%. Krahasuar me qershorin 2023 është -0,1% ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin korrik.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,20 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,44 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,22 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,21 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me -0,84 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin korrik 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 9,5%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,0%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,0%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,0%, “Veshje dhe këpucë” me 4,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,7%, “Shërbimi arsimor” me 2,0%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,3%, “Komunikimi” me 1,2% dhe “Shëndeti” me 1,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 12,4%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “Zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 21,6%, pasuar nga nëngrupet “Qumësht, djathë dhe vezë” me 13,8%, “Mish” me 11,2%, “Fruta” me 7,0%, “Peshk” me 6,1%, “Sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,6%, “Bukë dhe drithra” me 2,9%, etj.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49675 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE