Niger, junta mbyll hapësirën ajrore nga “rreziku i ndërhyrjes ushtarake”!

vovalbania August 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Niger, junta mbyll hapësirën ajrore nga “rreziku i ndërhyrjes ushtarake”!

Në Niger, liderët e puçit ushtarak mbyllën hapësirën ajrore pas kërcënimeve të vendeve fqinje për të ndërhyrë ushtarakisht. Sipas Flightradar24 që monitoron të dhënat e fluturimeve, aktualisht nuk ka asnjë avion në qiellin e Nigerit.

Grupi i shteteve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS ka paralajmëruar se do të përdorë forcën nëse presidenti i Nigerit, Mohamed Bazoum nuk rikthehet në pushtet deri në orët e para të ditës së sotme.

Një zëdhënës i juntës tha se forcat e armatosura të Nigerit janë të gatshme të mbrojnë vendin. Bazoum u arrestua më 26 korrik dhe gjenerali Abdourahmane Tchiani, komandant i gardës presidenciale, e shpalli veten lider të ri të shtetit.

Puçi ushtarak u dënua nga faktori ndërkombëtar, përfshirë ish-fuqinë koloniale Francën, si dhe të tjera shtete të Bashkimit Europian e nga Amerika dhe Kombet e Bashkuara.

Dje në një deklaratë të lexuar në televizionin kombëtar, përfaqësuesi i juntës tha se ushtria e Nigerit ka informacione se një “fuqi e huaj” po përgatitet të sulmojë shtetin.

Pas një takimi urgjent në Nigeri, të premten, shefat ushtarakë të ECOWAS thanë se kanë hartuar një plan të detajuar për përdorimin e mundshëm të forcës.

Janë hartuar të gjithë elementët që kërkohen për një ndërhyrje të mundshme, përfshirë burimet, si dhe kur do të dislokojmë forcat.  Ne duam që diplomacia të funksionojë, ne duam që ky mesazh t’iu transmetohet atyre të juntës. Iu kemi dhënë çdo mundësi të zhbëjnë atë që kanë bërë.

ECOWAS dha ultimatum një javë më parë, duke kërkuar nga gjeneralët që të largohen nga pushteti. Tashmë ky afat ka skaduar. ECOWAS është bllok rajonal i tregtisë ku bëjnë pjesë 15 shtete të Afrikës Perëndimore, përfshirë Nigerinë, Senegalin, Togon e Ganën.

Por, liderët e puçit nuk po japin sinjale se kanë vullnet të largohen nga pushteti. Mijëra mbështetës të tyre, dje mbajtën një tubim në stadiumin në kryeqytetin Niamei. Burkina Faso e Mali kanë paralajmëruar se çdo ndërhyrje të jashtme ushtarake në Niger do ta konsiderojnë “shpallje të luftës” ndaj tyre.

Burkina Faso dhe Mali janë anëtarë të ECOWAS, por anëtarësimi i tyre në këtë bllok rajonal është pezulluar që kur drejtohen nga juntat ushtarake.

Nigeri është prodhues i rëndësishëm i uraniumit, element jetik për energjinë bërthamore e nën udhëheqjen e presidentit Bazoum ka qenë aleat kyç i Perëndimit në luftën kundër militantëve islamikë në rajonin Sahel të Afrikës Perëndimore.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50949 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE