Rrjetet shqiptare të drogës në Itali zëvendësojnë marijuanën me kokainën!

vovalbania August 07, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Rrjetet shqiptare të drogës në Itali zëvendësojnë marijuanën me kokainën!

Në Itali, rrjetet shqiptare të narkotikëve po përfshihen gjithnjë e më shumë në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës ndryshe nga vitet e mëparshme kur ishin aktive në transportimin e marijuanës përmes hapësirës detare me Shqipërinë dhe shpërndarjen në tregun e brendshëm italian.

Raporti i fundit i antidrogës italiane 2023 që u referohet të dhënave policore përgjatë 2022-shit pohon se rreth 1 mijë e 200 shqiptarë u denoncuan në prokuroi nga antidroga italiane për aktivitet në transportin dhe shpërdarjen e kokainës nga 1 mijë e 127 që ishin denoncuar më 2021-shin.

Ndërkohë, për transportimin dhe shpërdarjen e kanabisit në vitin 2022 u denoncuan 239 shetas shqiptarë nga 300 që ishin denoncur më 2021-shin, me një rënie prej 20,33%.

Një rënie të ndjeshme pësoi dhe numri i autorëve shqiptarë të denoncuar për aktivitetin në transportimin e shpërndarjen e marijuanës. 62 autorë më 2022-shin kundrejt 149 në vitin 2021.

Raporti vlerëson rolin e autoriteteve policore shqiptare e atyre italiane në bllokimin e trafikut të marijuanës në hapësirën detare mes të dy vendeve. Po ashtu, thekson se numri i shqiptarëve të përfshirë në fushën e narkotikëve në vitin 2022 e të denoncuar pranë organeve gjyqësore italiane, pësoi rënie të lehtë me 1 mijë e 562 persona krahasur me vitin 2021 kur në autoritetet gjyqësore ishin denoncuar 1 mijë e 599 persona.

Raporti i antidrogës italiane sjell analiza për aktivitetin e rrjeteve të huaja të drogës. Krahas aktivizmit “tradicional” në fushën e trafikut të drogës, rrjetet konfirmojnë aftësinë e tyre për të zhvilluar skema komplekse për pastrim parash dhe evazion fiskal, si dhe transferimin e kapitalit jashtë Italisë.

Sipas antidrogës italiane, nga pikëpamja strukturore, shpesh rrjetet shqiptare organizohen në grupe të vogla me një bazë familjare.

Grupet kriminale shqiptare karakterizohen nga aftësia për të ruajtur lidhjet me vendin e origjinës e nga aftësia për të kërkuar projeksione ndërkombëtare në tregtimin e substancave narkotike.

Në disa raste është vënë re funksionimi i grupeve të vogla, shpesh multietnike; nga ana tjetër, është vënë re një aftësi e jashtëzakonshme për të zhvilluar trafikun ndërkombëtar të drogës në nivele të larta, të kryera nga struktura të mëdha kriminale, të organizuara sipas skemave tipike mafioze, me disponueshmëri të burimeve të mëdha financiare.

Sipas raportit të antidrogës italiane, “afërsia gjeografike midis Italisë dhe Shqipërisë, me kalimin e kohës ka lehtësuar zhvillimin e marrëdhënieve të drejtpërdrejta midis grupeve kriminale puljeze e shqiptare, veçanërisht për furnizimin, ruajtjen dhe tregtimin e lëndëve narkotike”.

Raporti përmend disa operacione të mëdha policore të zhvilluara në rajone të ndryshme të Italisë kundër drogës përgjatë vitit 2022 kur në pranga përfunduan dhjetëra shtetas shqiptarë e italianë. Në janar 2022, “Guardia di Finanza” e Brindizit zbuloi aktivitetin e rrjeteve italo-shqiptare me ekzekutimin e 23 masave të sigurimit me burg, ndaj shtetasve italianë e shqiptarë.

Grupi shqiptar, së bashku me shtetas italianë mundi të importonte ngarkesa të konsiderueshme heroine dhe kokaine në provincën e Brindizit, të ardhura përkatësisht nga Turqia nëpërmjet rrugës ballkanike e nga Holanda.

Raporti i antidrogës italiane sjell hollësi për mënyrën e organizmit të rrjeteve të drogës.

Të vetëdijshëm për vëmendjen e mundshme nga forcat e policisë ndaj tyre, të dyshuarit mbanin kontakte me furnitorët dhe klientët, duke përdorur pajisje telefonike të koduara, të cilat garantonin “komunikim të sigurt”, si dhe bllokues frekuencash, për të penguar çdo përgjim të komunikimit midis njerëzve e vendndodhjen GPS të makinave. Pagesa e ngarkesave të drogës, kryesisht bëhej me dërgimin fizik të parave drejt Shqipërisë, me anë të shoferëve, që operonin në linjën e autobusit në seksionin Vlorë-Itali e veriut.

Gjithashtu, raporti përmend një operacion të gjerë në Bolonja ku një organizatë italo-shqiptare ishte përfshirë në shitjen e kokainës, hashashit e marijuanës.

Në korrik 2022 u dhanë 31 masa të paraburgimit ndaj shtetasve shqiptarë e italianë, përgjegjës për trafikun dhe tregtimin e drogës./Zëri i Amerikës

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49062 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE