Përmbytet anija me emigrantë në brigjet e Italisë, 41 viktima!

vovalbania August 09, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Përmbytet anija me emigrantë në brigjet e Italisë, 41 viktima!

Tragjedia e radhës në brigjet italiane.  Një anije me emigrantë të paligjshëm u mbyt në brigjet e ishullit Lampedusa në Itali, 41 persona humbën jetën. Sipas mediave në vendin fqinj, mjeti lundrues u nis nga qyteti Sfax i Tunizisë, siç ndodh shpesh kohët e fundit. Ekipet e Rojës Bregdetare arritën të shpëtonin 4 emigrantë.

Personat e shpëtuar njoftuan se u nisën me 45 vetë e në mesin e viktimave janë dhe tre fëmijë. Shkak u bë moti i keq me erë, që solli det të trazuar me dallgë të forta. Kjo është e dyta tragjedi në tre ditë në Lampedusa ku trafiku i emigrantëve është intensiv në Mesdheun Qendror. Të dielën e 6 gushtit u gjetën trupat e pajetë të dy personave, përkatësisht të një gruaje e të një fëmije.

Në fundjavë, dy mbytje varkash me emigrantë u regjistruan në brigjet e Lampedusas në Itali. Rreth 30 ishin të zhdukurit. Fillimisht u fundos një mjet lundrues me 48 emigrantë në bord, 45 prej të cilëve arritën të shpëtoheshin. Referuar dëshmive të të mbijetuarve, vetëm tre persona rezultojnë të zhdukur.

Në të dytën udhëtonin 42 vetë nga vendet e Afrikës sub-Sahariane dhe 14 prej tyre u shpëtuan. Dy trupa të pajetë të një gruaje e një fëmije vetëm një vjeç e gjysmë u gjetën, por 26 persona ende rezultojnë të zhdukur.

Varka e parë me 48 njerëz në bord ishte nisur nga Sfax-i në Tunizi. Ata kaluan disa orë në mes të detit, para se të diktoheshin nga forcat e Rojes Bregdetare, rreth 23 milje në jugperëndim të Lampedusas. Të mbijetuarit folën për tre të zhdukur: një grua e dy burra.

14 të mbijetuarit e varkës së dytë, e cila gjithashtu lundroi nga Sfax-i i Tunizisë prej të enjtes së kaluar, pretenduan se në nisje ishin 42 njerëz. 28 nuk ia dolën dhe prej tyre u gjetën dy trupa të pajetë.

Në përpjekje për të hedhur më shumë dritë për atë që ndodhi, hetuesit e Skuadrës Lëvizëse të Selisë së Policisë në Agrigento të Italisë dëgjuan përsëri të mbijetuarit, shumica e të cilëve burra. Që të gjithë ishin të shokuar.

Megjithatë, gjasat janë të mëdha që tragjeditë të kenë lidhje me detin shumë të trazuar nga kushtet jo të mira të motit, me erë të fortë.

Pikërisht për shkak të erës, një varkë e vogël me njëzet emigrantë u përplas me shkëmbinjtë në Ponente të Italisë, të shtunën e kaluar. Zona shkëmbore, më shumë se njëqind metra e lartë bëri që të humburit të mbeteshin të bllokuar për një kohë të gjatë, pasi varkat e patrullës së Rojes Bregdetare nuk ishin në gjendje të afroheshin.

Sipas të dhënave të IOM-it, që nga viti 2014, në det janë mbytur mbi 14 mijë persona gjatë përpjekjes për të kaluar nga Libia dhe Tunizia për në Itali.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49777 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE