Tajvani raporton për inkursionin e dytë të Kinës gjatë kësaj jave!

vovalbania August 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tajvani raporton për inkursionin e dytë të Kinës gjatë kësaj jave!

Dhjetë avionë të forcave ajrore të Kinës hynë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, të shoqëruar nga pesë luftanije kineze dhe u përfshinë në patrullime “për gatishmëri luftarake”. Sipas autoriteteve të ishullit autonom, kjo është hera e dytë brenda javës që Kina kryen inkursion, ndërsa shteti i madh aziatik e pretendon si territor të vetin.

Vazhdimisht, Tajvani është ankuar për aktivitetet e ushtrisë kineze në tre vitet e fundit, teksa Pekini po rrit presionin duke tentuar që të detyrojë ishullin të pranojë sovranitetin e Kinës.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se duke nisur nga ora 09:00 sipas asaj lokale, detektoi 25 avionë luftarakë kinezë të përfshirë në operacionet në det, mes tyre ata luftarakë të llojeve J-10 dhe -16 e bombardues H-6.

Dhjetë nga këta avionë kaluan vijën ndarëse në Ngushticën e Tajvanit, që më herët ka shërbyer si kufi jozyrtar mes dy palëve ose hynë në pjesën jugperëndimore të zonës identifikuese mbrojtëse ajrore të Tajvanit.

Në koordinim me pesë luftanije kineze, këta avionë u përfshinë në patrullime “për gatishmëri luftarake”. Ushtria e Tajvanit nisi anije dhe avionë për të mbikëqyrur aktivitetin kinez.

Të dielën, Tajvani raportoi për një nivel të ngjashëm të aktivitetit të avionëve luftarakë dhe luftanijeve kineze në afërsi të ishullit.

Kina kreu stërvitje ushtarake përreth Tajvanit në prill, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u kthye nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Gushtin e vitit të kaluar, Pekini zhvilloi stërvitje ushtarake përreth Tajvanit për të kundërshtuar vizitën atje të kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Gjatë kësaj jave, zv.presidenti i Tajvanit, William Lai do të vizitojë SHBA-të. Kjo ndalesë e Lait ka zemëruar Kinën. Qeveria e Tajvanit e zgjedhur në mënyrë demokratike, refuzon pretendimet e Kinës mbi sovranitetin e ishullit, duke thënë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendos për të ardhmen e tij.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51008 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE